Punësimet nga PSD në Shkodër? Gjiknuri: Spekullime, është e drejta e tyre të mbështesin qeverinë
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri mohon që PS-ja të ketë marrëveshje me Partinë Socialdemokrate. Referuar debateve të forta në mbledhjen me socialistët në Shkodër se vendet e punës ishin zënë nga PSD-ja, Gjiknuri i quajti spekulime.
I ftuar në ”Radari Informativ”, Gjiknuri theksoi se mund të ketë pretendime se PSD-ja ka peshë në Shkodër, por që PS-ja nuk ka marrëveshje me ta. I pyetur përse PSD-ja e përkrah qeverinë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së tha se për këtë gjë duhen pyetur ata vetë.
”Të them të drejtën ka pasur spekulime. Jo të gjitha janë thënë në sallë ka qenë një debat për riorganizimin. Ka pasur edhe shqetësime. Por PS nuk ka marrëveshje politike me PSD. Kjo parti ka hyrë me deputetë të saj në Kuvend. Nuk ka marrëveshje koalicioni. Mund të ketë pretendime sepse ka peshë në Shkodër. Partitë politike nuk janë për të diskutuar se si do ndahen drejtorët. Ka pasur edhe pretendime dhe ne nuk kemi marrëveshje me PSD. Marrëveshje nuk ka. Është e drejta e tyre pse mbështesin qeverinë. Duhet të pyesni PSD. Po e them zyrtarisht nuk kemi marrëveshje me PSD”.