Punëtorët në Mallakastër në grevë urie: “Jemi duke vdekur”. Asnjë reagim nga qeveria
Në Fier dhe në Mallakastër 24 punëtorë janë në grevë urie për të marrë pagat nga institucionet shtetërore. 14 punonjës të nënstacionit elektrik dhe stacionit të pompimit, në Poçem të Mallakastrës, janë futur sot në ditën e tetë të grevës së urisë. Ndërsa 10 punonjësit e Uzinës në Ballsh janë futur në ditën e katërt të grevës.
Punonjësit e institucioneve kanë zgjedhur këtë formë ekstreme për të marrë pagat. Edhe kanë kaluar disa ditë nga nisja e grevës së urisë, asnjë zyrtar shtetëror nuk ka shkuar për ti takuar apo të premtojë zgjidhje të kërkesave të tyre. Vetëm krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë parë nga afër gjendjen e tyre dhe kanë premtuar zgjidhjen e problemeve, por kërkesat e tyre urgjente mund të zgjidhen vetëm nga qeveria.
“Mbështetje pa kusht për punëtorët dhe kërkesat e tyre! Ata janë tradhëtuar, dhe keqtrajtuar nga qeveria. Viktimat e Edi Rames janë njerëzit e thjeshtë, qytetarët e ndershëm shqiptarë që luftojnë për mbijetesë dhe një jetë normale. Në këtë betejë unë dhe Partia Demokratike do jemi zëri juaj, do jemi mbështetja juaj. Beteja juaj është beteja e çdo shqiptari, ne do të na keni në krah deri në plotësimin e kërkesave tuaja të drejta. Ju jap fjalën se do ti zhbëj të gjitha padrejtësitë ndaj jush”,- deklaroi sot kreu i PD-së gjatë vizitës te grevistët në Mallakastër.
Gjendja shëndetësore e të cilëve ka nisur të përkeqësohet. Duke folur për mikrofonin e News 24 grevistët thanë se nuk ju duhet më jeta, pasi janë zhytur në borxhe, ndërsa i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ambasadave të ndërhyjnë për të zgjidhur problemin e tyre.
Ata janë të vendosur për të vijuar kauzën e tyre, duke theksuar se marrja e 27 pagave të prapambetura është mundësia e vetme që i nxjerr nga greva. Grevistët e Uzinës kanë refuzuar sot të marrin ndihmë mjekësore, edhe pse gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar. Dy prej grevistëve janë zëvendësuar me kolegët, pasi janë ndjerë keq, për shkak edhe të rënies së temperaturave.
“Jemi mbytur në borxhe, e kemi shkruar emrin në të tëra dyqanet, nuk shkojmë dot në shtëpi. I lutemi kryeministrit të shohë ku ka hasur vështirësi që nuk po na paguajnë, nuk po na japin rrogat. Ne të vdekur jemi, për çfarë i duam mjekët të jetojmë më?”, tha një prej grevistëve.