Punëtori ra nga lartësia e pallatit ku po punonte, arrestohen 2 inxhinierët e firmës ndërtuese

Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në kryeqytet ku një punëtor ndërtimi ra nga lartësia dhe për pasojë ndërroi jetë.

“Viktima është M.P 63- vjeç i cili ka qenë duke punuar në një ndërtesë tek “Fusha e Aviacionit” dhe rreth orës 12:30 të ditës së sotme është rrëzuar nga lartësia duke humbur edhe jetën”, njoftonte policia dje.

Sot policia njofton se në lidhje me ngjarjen, për shkelje të rregullave në punë, janë arrestuar inxhinieri i firmës ndërtuese dhe inxhinieri për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik të një pallati në ndërtim.

“Shërbimet e Komisariatit Nr. 2 dhe grupi hetimor, menjëherë pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte rënë aksidentalisht nga lartësia e një pallati dhe për pasojë humbi jetën, menjëherë kanë kryer gjithë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit arrestuan në flagrancë shtetasit:

B. Ç., 42 vjeç, banues në Tiranë, inxhinieri i firmës dhe K. K., 26 vjeç, banues në Tiranë, ndihmësinxhinier për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi më datë 07.05.2020, rreth orës 12:30, ka rënë nga lartësia e pallatit në ndërtim dhe si pasojë ka humbur jetën punëtori i këtij objekti, shtetasi M. P., 63 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, njofton policia.

SHKARKO APP