Punimet te ish-sheshi “Shqiponja”, Elezi: Në fund të shkurtit hapet tuneli i parë, punimet përfundojnë brenda vjeshtës 2021
Nga kantieri i ish-Sheshit “Shqiponja”, Report Tv sjell detajet e fundit në lidhje me ecurinë e punimeve për rimodelimin e hyrjes së Tiranës në këtë zonë.
Drejtori i Projekteve Strategjike në ARRSH, Erald Elezi, i tha gazetarit Sokol Dema se tashmë janë realizuar rreth 42% e kontratës dhe puna vijon intensivisht.
“Punimet nëntokësore janë sfidat e kësaj vepre pasi përbëjnë shumicën e punimeve. Pjesa që në projekt quhet tubi nr. 4 tashmë ka përfunduar. Po vazhdon puna paralelisht për dy tubat e tjerë”, tha Elezi.
“Punimet nëntokësore kanë qenë sfida e kësaj vepre. Më parë në ndërtimet tona ne kemi përdorur punime nëntokësore vetëm në një nivel. Kemi ndërtuar nënkalime. Këtu vështirësia është akoma dhe më e lartë sepse kemi një kombinim të punimeve nëntokësore”, vijoi ai.
Sa i përket çështjes së trafikut Drejtori i Projekteve Strategjike në ARRSH, Erald Elezi, u shpreh se plani i ri menaxhues ka funksionuar dhe drejtuesit e mjeteve janë përshtatur.
“Dua të gjej rastin të falënderoj drejtuesit e mjeteve që e kanë respektuar me rigorozitet planin e ri të menaxhimit të trafikut që ne e kemi implementuar prej disa javësh. Përveç sfidave inxhinierike, ndër sfidat më të mëdha ishte të punojë ne nyjën më të ngarkuar të trafikut dhe nëse do të punonim duke e pezulluar komplet trafikun i gjithë qyteti do ishte në kolaps. Ne punuam me faza. Drejtuesit e mjeteve janë përshtatur shumë shpejt dhe deri tani mund ta themi me bindje që kjo skemë po funksionon”, u deklaroi Elezi.
Përfundimi i plotë i veprës pritet brenda vjeshtës së ardhshme por edhe më shpejt pasi deri tani punimet janë përpara me afatet.
“Lehtësimi i radhës për automjetet do të jetë në fund të muajit shkurt dhe në fillim të marsit të vitit të ardhshëm. Kjo na jep ne mundësinë që të mund të prishim rrugët provizore që janë bërë për trafikun dhe të vijmë me punën
Deri tani kemi qenë të favorizuar nga kushtet atmosferike. Nëse dimri vazhdon kështu ne presim që brenda vjeshtës së ardhshme veprën ta kemi përfunduar. Ne jemi të mobilizuar në mënyrë të plot, jemi përpara me afatet dhe çdo datë tjetër para vjeshtës do të ishte e mirëseardhur”, tha ndër të tjera në lidhjen live për Report Tv nga ish-Sheshi “Shqiponja”, Drejtori i Projekteve Strategjike në ARRSH, Erald Elezi.
/Shqiptarja.com