Pushteti i Rilindjes në grahmat e fundit

Drejtuesit e qeverisë “Rama” dhe Bashkisë së Tiranës kanë kryer dje një akt që mund të krahasohet vetëm me atë të një shteti dhunues. Në mënyrë flagrante, Policia Bashkiake e Tiranës ka ndërhyrë për të bastisur zyrat e partisë Fryma e Re Demokratike, pas nënshkrimit të koalicionit me PD, nga drejtuesi i saj, Sali Shehu. Edhe pse ligji lejon që një parti që ka fituar mesatarisht 1 % të votave në tre zgjedhjet e fundit, të ketë zyra nga pushteti vendor, Edi Rama ka urdhëruar Bashkinë e Tiranës që t’i flakin jashtë nga zyrat drejtuesit e këtij subjekti politik. Policia e Tiranës ka rrethuar sot godinën e FRD-së, që ndodhet në të njëjtin vend ku ka qenë selia e dikurshme e Partisë Demokratike. Punonjësit e qeverisë, me një letër pa vulë, pa firmë dhe pa numër protokolli, kanë prerë ujin dhe dritat e godinës, si dhe nuk kanë lejuar drejtuesit e FRD që të hyjnë në godinë. I gjendur në sulmin fizik të policisë, kreu i FRD, Sali Shehu ka njoftuar mediat për situatën e rëndë dhe kreun e shtetit Ilir Meta. Presidenti Ilir Meta ka mbërritur në selinë e partisë, pas njoftimit nga Sali Shehu dhe është bërë dëshmitar i dhunës së policisë ndaj aktivistëve të FRD. Dhuna fizike ndaj aktivistëve të kësaj force politike ka vijuar dhe në momentin që kreu i shtetit ka kërkuar të ngjitet në zyrat e FRD. Policia në mënyrë të paprecedentë dhe duke mos njohur ligjin për personalitet dhe duke shtyrë rojet e tij personale ka cënuar sigurinë e kryetarit të shtetit. Në këto momente ka kreu i shtetit u ka kujtuar punonjësve të bashkisë zbatimin e ligjit dhe me tone të forta u ka kërkuar të dalin menjëherë jashtë. Shprehjet vulgare dhe grushtet, për të cilat një pjesë e gazetarëve “sqimëtarë” ishin shqetësuar dje në Tiranë, nuk ishin të Presidentit. Në video shihet sesi kreu i shtetit kërkon nga disa aktivistë të FRD të mos godasin policinë, por vetëm t’i nxjerrin jashtë. Po në videot që janë në internet dhe i kanë parë të gjithë, veç gazetarëve të Edi Ramës, dëgjohet qartë se nuk ka asnjë fyerje nga goja e kreut të shtetit. Ka vetëm një thirrje: “Përjashta!” . Akti politik e dhunes qeveritar ishte dje nxjerrja në rrugë e një partie opozitare pak ditë para zgjedhjeve. Edhe sikur për një moment të mendojmë se Bashkia e Tiranës është me letrat në rregull dhe në të drejtën e saj, çfarë pune i prishej qeverisë dhe bashkisë nëse FRD nxirrej nga zyrat pas zgjedhjeve dhe jo sot? Akti më jonormal i qeverisë ishte dje kur Policia Bashkiake, një strukturë me rregulla të përcaktuara për pushtetin vendor, arrin deri aty sa ngre dorë dhe kërcënon Presidentin e Republikës. Për pallatin pa leje të një deputeti të PS në mes të Tiranës, në vitin 2008 gjithë grupi i Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama, shkoi dhe rrahu policinë dhe dhunoi edhe oficeret femra, vetëm që të mos prekej prona pa leje e socialistit. Në atë kohë u ngritën të gjithë në këmbë në mbrojtje të pallatit pa leje, drejtuesit e PS dhe gazetarët që u shqetësuan dje për efektivët e policisë që kërcënonin presidentin. Ndërkohë dje, edhe pse po dhunohej një parti opozitare dhe pse po kërcënohej kreu i shtetit, qeveria sulmoi kreun e shtetit me një gjuhë prej karrocierësh të dehur.

Akti ndaj Frymës së Re Demokratike nuk ishte thjesht zbatim i urdhrave të qeverisë nga Bashkia edhe pse në tokën ku ndodhet godina ka interesa që lidhen me kullat dhe projektet që po bëhen me nxitim. Akti i djeshëm i pushtetit ishte shenja e një fushatë të egër dhe kriminale që po përgatit qeveria kundër opozitës. Gjithashtu, ishte shenja e qartë e rrezikut që u kanoset zgjedhjeve nga kjo qeveri. Një policë anonime bashkie, nuk merr kurajën për të nxjerrë nga zyrat një parti dhe të kërcënojë kreun e shtetit, pa pasur udhëzime të qarta nga kryeministri. Rilindja dha prova dje se ka plane për skenar dhunë, masakër elektorale në zgjedhje dhe represion policor ndaj opozitës. Duke ndjerë rrezikun e humbjes së zgjedhjeve, Rilindja po bëhet edhe më e dhunshme dhe po përdorë elementë kriminalë, që fatkeqësisht janë në strukturat e shtetit. Por janë gramat e fundit të pushtetit.

Mili Xhani

SHKARKO APP