Pushuesi zbulon detaje nga incidenti në Livadh: Pronarja u hodh mbi kofano, u terrorizuam

Pas incidentit të ndodhur në Livadh, ku pronarja e një hoteli u shtri para makinës së një çifti, për të mos i lënë të largohen pasi pretendonte se kishin prenotuar për tre ditë dhe duhet të paguanin për to, ka folur pushuesi.

Visari tregon në një intervistë në news 24 se si nisi sherri që nga prenotimi deri tek largimi dhe debati. Ai thotë se pjesa më e tmerrshme, ishte pikërisht prania e vajzës, e cila ishte trembur dhe kishte filluar të qante.

“Për sa i përket konfliktit që lindi me zonjën dhe disa zotërinj të panjohur, nuk besoj se ka pasur arsye që të ndodhte kjo gjë, por edhe sikur të kishte arsye ekzistojnë disa rregulla në një shoqëri normale për zonjën të zgjidhë pretendimet e saj. Të shtrihesh në mes të rrugës, t’i hidhesh mbi kofano, apo të tentosh t’i rrëmbesh tjetrit celularin duke terrorizuar një familje e cila ka shkuar për të kaluar dy ditë pushime nuk besoj që është zgjidhja që i duhej kësaj zonje.

Ne kemi prenotuar për të premte dhe të shtunë dhe kemi shkuar që të enjten në orën 18:00. I kemi thënë zonjës e cila komunikonte në Instagram, nëse ishte e mundur të akomodoheshim ditën e enjte, kemi marrë një përgjigje pozitive për këtë kërkesë dhe jemi akomoduar, rreth orës 06:00-7:00 pasi kemi përfunduar plazhin në Himarë. Kemi ndenjur në një plazh të Livadhit dhe më pas jemi larguar për në hotel. Kemi ndenjur dy net siç e kishim planifikuar, edhe pse kushtet nuk na favorizonin, kemi ndenjur gjithsesi aq sa kishim planifikuar për të ndenjur. Të shtunën në mëngjes do largoheshim për të ikur dy ditë në Sarandë, në shtëpinë tonë. Kur i thamë zonjës që do largohemi, na tha pse do largoheni, ju duhet të rrini dhe të shtunën”, tha pushuesi.

Më tej ai tregon se zonja iu ka bllokuar rrugën, ndërsa për ngjarjen i është drejtuar  komisariatit të Himarës.

“Zonja na ka bllokuar rrugën. Ngjarja filloi 200 metër para se të bëja atë filmimin. Isha duke lëvizur në drejtim të Himarës dhe në një moment shikoj një mjet që tenton të më bllokojë rrugën, të më hyjë përpara makinës. I shmangem në krah të djathtë dhe i them çfarë po bën. Zonja vazhdonte të më ndiqte nga mbrapa duke bërtitur dhe duke i rënë borisë. Në një moment mendova se ishte dikush që kishte nevojë për ndihmë dhe duhet ta lija të më parakalonte. Ndërkohë që e lë të më parakalojë, zonja shkon njëherë djathtas, njëherë majtas duke më vënë në rrezik jetën e familjes sime. Ndaloj për të mos krijuar ndonjë përplasje dhe zonja ndalon makinën skiç në mes të rrugës, del nga makina dhe filloi skenat për të cilën pak sekonda më pas i them time shoqe të regjistronte. Duke thërritur dhe tre persona të tjerë, një me motor që nuk duket në video që rrinte pas dhe pasi ndodhi debati na ka ndjekur deri tek komisariati i Himarës”, tha ai.

SHKARKO APP