Qafë Shtama, shtegtim i pëlqyer ekoturistik

 

Natyra dhe ekoturizmi janë mundësitë të reja për një zhvillim rajonal të qëndrueshëm edhe në një vend si Shqipëria, ku mbi 70% e sipërfaqes është malore dhe odrinore, me një terren me kontraste të mëdha e bukuri natyrore. Në shumë rajone të vendeve në zhvillim, por edhe në Zonat periferike në vendet e zhvilluara, të ardhurat e mundshme nga natyra bazuar tek ekoturizmi janë shpesh më e lartë se të ardhurat direkte nga pyjet, përdorimin e tokës bujqësore, etj. Turizmi në natyrë është bazuar e varet fuqimisht në cilësinë dhe elementet e mjedisit natyror. Cilësitë e peizazheve në të cilat shërbejnë për veprimtari rekreative e çlodhëse janë të larta. Zhvillimi i ekoturizmi, përveçse një veprimtari shëndet dhënëse dhe që banorëve vendas ju siguron të ardhura, është argumenti për të mbrojtur pyjet e rrezikuara dhe biodiversitetin e tyre. Është e nevojshme, një fokus i pyllit të lidhur me turizmin e natyrës, sidomos i kurorave afër qyteteve apo dhe parqeve natyrore siç është ai Qafë Shtamës në Krujë.

Kruja si qytet, me kalanë e muzeun që lidhen me emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, me pazarin unikal, me teqen e kompleksin e Sari Salltikut, disa vendbanime të hershme historike, etj, është e listuar tashmë në shtegtimet më të pëlqyeshme turistike të Shqipërisë. Në pozicionin që ndodhet afër; Tiranës, Durrësit, Rinasit, Lezhës, etj, ajo nga viti në vit po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe më shumë të huaj. Kjo bashki tashmë ka një shtrirje nga bregdeti deri në lartësitë e Majeë së Liqenit 1723 m.

Një realitet i ri është krijuar pas përmiresimit dhe asfaltimit të rrugës që lidhë qytetin e Krujës me Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës, duke mundësuar zhvillimin e një ekoturizmi në Malësinë e Krujës. Në një ditë nga Tirana në Qafë-Shtamë mund të udhëtosh; të shohësh dhe prekësh nga afër monumente të natyrës, të ndjesh aromën e luleve, të freskohesh me ujin e ftohtë të malit, të thithesh ajrin e pastër të pyllit, të dëgjosh cicërimat e zogjve, etj. Një udhëtim i këndshëm, mbërritja në Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, lëvizjet në park dhe një drekim në mjediset e bujtinat karakteristike që presin vizitorë të jep kënaqësi të veçantë, të lë mbresa për tu kthyer këtu sa më shpesh.

Parku Kombëtar “Qafë Shtamë”

Me Vendimin i Këshillit të Ministrave, Nr. 102, datë 15.01.1996, është shpall Park Kombëtar masivi pyjor i Qafë Shtamës, pasi ka vlera shkencore, didaktike, estetike, turistike dhe kurative. Parku ka sipërfaqe 2000 ha, administrohet nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nëpërmjet administratës përkatës në Krujë.

Pozicioni gjeografik. Parku i Qafë Shtamës ndodhet rreth 25 km, në verilindje të qytetit të Krujës. Në perëndim kufizohet me fshatin Nuojë dhe në veri me fshatin Shkretë. Përshkohet nga dy rrugë automobilistike kryesore: Nuojë – Shkretë dhe Nuojë – Bruz, të cilat e lidhin edhe me qytetet Krujë e Burrel. Si njësi territoriale, bën pjesë në bashkinë e re të Krujës.

Në përgjithësi, pamja e këtij parku është rrethore e piktoreske. Terreni përbëhet nga shpate, kurrize, lugina e lëndina. Lartësia më e madhe është maja e Liqenit (1723 m) dhe maja Rjepa e Qetkolës (1680 m). Kuota më e ulët është maja e Fraveshit (791 m). Ndër burimet ujore përmendet çezma e “Nënës Mbretëreshë”, me ujë të pastër, të ftohtë e kurativ. Është zonë e frekuentuar, për vlerat e larta kurative e të peizazhit. Në kufirin verior ka një qendër pushimi, e cila duhet rehabilituar. Vëmendje, për zhvillimin e turizmit, tërheqin edhe liqenet, që ndodhen pranë Parkut, në anën veriore të tij.

Kushtet ekologjike favorizojnë zhvillimin e një bote bimore e shtazore tipike të zonave malore. Kati drusor përbëhet kryesisht nga llojet pishë e zezë (Pinus nigra L.) dhe ah (Fagus sylvatica L.) në lartësi, ndërsa në vendet më të ulëta nga lisi. Nënpylli mbizotërohet nga shkurretat mesdhetare, me bimë shtatshkurtra e të grumbulluara në tufa. Përfaqësohen nga shqopa dhe euforbia. Në territorin e Parkut takohet shpesh edhe boshtra (Forsythia europaea Deg. & Bald.), si bimë endemike. Në brendësi të grumbujve pyjorë gjendet mjaft dëllinja e kuqe. Bimësia barishtore përgjithësisht nuk është e larmishme. Më të shpeshta janë bimët e familjes së trëndafilave, si dhe luleshtrydhja, timusi, primula, thundërmushka dhe mjaft bimë aromatike e mjekësore. Vende – vende takohet edhe fieri mashkull.Shoqërimet bimore pishë e zezë me Erica herbacea dhe me Euphorbia, konsiderohen karakteristike për shkëmbinjtë ultrabazikë të vendeve të ndriçuara e të thata.

Fauna. Bota shtazore përbëhet nga ujku (Lupus canis), dhelpra (Vulpes vulpes), derri i egër (Sus scrofa) dhe lepuri (Lepus europaea). Ndërsa shpendët përfaqësohen nga disa lloje zogjsh këngëtarë, rrëmbyes të ditës, thëllëza e malit, mëllenja, shapka, cërloi, etj. Nëpër territorin e Parkut, në vende të caktuara, gjenden edhe disa lloje gjarpërinjsh, hardhucash, breshkash, fluturash e insektesh.

Popullsia e fshatrave përreth merret me bujqësi e blegtori, por përfiton edhe nga pasuritë natyrore të Parkut. Ndoshta se shpejti është me vend të mund të zhvillohet dhe agroturizmi, ku banoret sidomos ata afër parkut, te mund te presin ndoshta turiste ditor, që duan te vizitojnë fshatin. Kushtet social – ekonomike të këtyre banorëve deri tani janë të vështira. Zhvillimi i turizmit sidomos vitet e fundit dhe ritmi me i lartë i vizitorëve ne realitetin e tanishëm do përmirësoje dhe kushtet social ekonomike të banorëve. Këta të fundit kanë treguar një kujdes të veçantë në mbrojtjen e pjesës qëndrore të parkut, dëmtime të vogla nuk kanë çuar në përkeqësim të gjendjes ne park. Masivet pyjore që qarkojnë parkun për fatkeq janë dëmtuar rëndë, sidomos nga prerja abuzive, pastaj dhe nga zjarret. Tashmë parku, me një administratë të re, ka nevojë për të hartuar menjëherë një plan menaxhimi bashkëkohor dhe mbështetje finaciare për zbatimin e tij.

Mjedisi pyjor kompleks me tërë kënaqësinë që të ofron, uji i freskët e kurativ i burimeve, pamjet e peizazheve, shërbimi hotelier, ushqimet bio dhe gatimet tradicionale të zonës, janë faktorë kryesor për një turizëm, jo vetëm ditor, por dhe më gjatë. Vizitoni Qafë Shatmën dhe do të largoheni me ndjesinë për tu rikthyer më shpesh atje. 

Gjon Fierza dhe Haki Balliu

SHKARKO APP