Qarkulluan jashtë orarit të caktuar, Policia Bashkiake gjobit 8 automjete

Bashkia e Tiranës është e vendosur të mos tolerojë askënd që tenton të thyejë ligjin dhe rregullat e vendosura për të kthyer në normalitet në qarkullimin rrugor të qytetit.

Në ditën e dytë të zbatimit të urdhëresës së nxjerrë për normalizimin e trafikut të automjeteve gjatë orëve kur kryhet mësim në shkollat e Tiranës, Policia Bashkiake ka konstatuar një sërë shkeljesh nga drejtues mjetesh që nuk u janë bindur ndalesave të nxjerra nga Bashkia.

Për rrjedhojë, vetëm gjatë paradites së sotme Policia Bashkiake ka vendosur 8 gjoba për thyerjen e orarit të përcaktuar nga Bashkia Tiranë në bazë të urdhëresës për organizimin e trafikut.

Gjobat bashkiake kanë variuar në shuma nga 30 mijë lekë e lartë dhe kryesisht janë vendosur për automjetet e bizneseve të ndryshme që pavarësisht urdhrit, kanë tentuar të kryejnë shërbime furnizimi gjatë fashës orare të ndaluar.

Ndërkohë që në bazë të urdhrit të Bashkisë subjektet tregtare mund të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 6:00 të mëngjesit. 

SHKARKO APP