Qëlloi me armë në ajër pas konfliktit me bashkëmoshatarin, shpallet në kërkim i riu në Kurbin
Një i ri është shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet se pas një konflikti qëlloi me armë zjarri në ajër. Ngjarja ndodhi sot në fshatin Adriatik të Kurbinit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi me inicialet A.B.,20 vjeç, dyshohet se pas një konflikti të çastit me shtetasin me inicialet E.P., 18 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Pas marrjes së informacionit menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë ku falë veprimeve të shpejta bënë identifikimin e autorit të dyshuar. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë shërbimet e Policisë po krehin zonën për kapjen e 20-vjeçarit si dhe gjetjen e sekuestrimin e armës së zjarrit me të cilën ka qëlluar në ajër.