Qendër masazhi për prostitucion në Tiranë, arrestohet pronari, nën hetim dy punëtoret
Një qendër masazhesh në një banesë të marrë me qira në Tiranë që përdorej për shfrytëzim prostitucioni është zbuluar këtë të martë.
Policia ka zbuluar aktivitetin e paligjshëm në ambientin e marrë me qira në rrugën “Sami Frashëri” nga 29-vjeçari me iniciale A.D.
Nën hetim janë vënë dhe dy punëtoret e biznesit, 19-vjeçarja me iniciale F.D. dhe 20-vjeçarja me iniciale E.T. Ato do të procedohen për veprën penale “Prostitucioni”, ndërsa 29-vjeçari do të hetohet për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Camouflage”. Operacioni policor i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
Kishte përshtatur banesën e marrë me qira si qendër masazhesh dhe ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit, vihet në pranga pronari.
Procedohen penalisht dhe dy punëtoret e qendrës së masazheve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, se një shtetas kishte përshtatur një banesë të marrë me qira, si qendër masazhesh ku ushtrohej prostictucion, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Camouflage”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasit:
– A. D., 29 vjeç, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Ky shtetas, pasi kishte marrë një ambient me qira, në rrugën “Sami Frashëri”, e kishte përshtatur si qendër masazhesh ku kishte të punësuara dy shtetase, dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht, ushtronin dhe aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dy punëtoret, shtetaset F. D., 19 vjeçe dhe E. T., 20 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.