Qendra Europiane: Rritet trafiku i kokainës në kontinent. Shqipëria furnizuesja kryesore
Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) ka publikuar raportin vjetor të drogave të vitit 2018, ku shpreh shqetësimin për rishfaqjen e kokainës në një treg dinamik të narkotikëve në Europë. Raporti përmend vetëm se Ballkani Perëndimor është një burim si i barit të kanabisit ashtu dhe i vajit të kanabisit.
I kontaktuar me telefon nga “Monitor”, pas daljes së raportit, Laurent Laniel, analist shkencor për reduktimin e ofertës së drogës, në Qendrën Europiane të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) tha se raporti është i fokusuar vetëm në vendet e Bashkimit Europianë dhe Turqinë e Norvegjinë, ndaj nuk i përmend specifikisht vendet e Ballkanit. Megjithatë, ai shton se nga informacionet që ata kanë Shqipëria vazhdon të jetë burim i furnizimit të kanabisit që trafikohet dhe konsumohet në BE dhe “kjo është e sigurt”.
“Dy vjet më parë, sipas autoriteteve shqiptare dhe italiane, prodhimi i kanabisit në Shqipëri ishte zvogëluar në mënyrë dramatike, por kjo duket se është rikthyer vitin e kaluar, duke pasur parasysh sasinë e barit të kanabisit (dhe produkte të tjera) që u kapën në Shqipëri”, specifikoi ai.
“Vitin e kaluar u kapën 75 ton kanabis në Shqipëri dhe kjo nuk është një sasi e vogël. Do të ishte mrekulli sikur kjo të mbaronte nga një vit në tjetrin”, thotë ai.
Ai shton se problem vazhdojnë të mbeten në Europë personat që flasin shqip, të cilat janë të përfshirë në trafikimin e heroinës dhe kokainës në sasi të mëdha, apo dhe në prodhimin e kanabisit jashtë në vendet e BE-së. “Krimi i organizuar shqiptar është problem në Europë”, shton ai.
Në një intervistë të mëparshme për Monitor, në mars të këtij viti, z. Laniel ka pohuar se, pas vitit 2016, nga Shqipëria nuk raportohet më prodhim masiv i kanabisit, por kapjet e sasive të kanabisit në kufi vazhdojnë, çka të çon dy konkluzione, stok i madh ose prodhimi vazhdon në hapësira të mbyllura.
Por, më shumë sesa për kanabisin e mbjellë në Shqipëri, autoritetet europiane janë të shqetësuara për grupet kriminale që po veprojnë jashtë Shqipërisë. Trafikantët shqiptarë që veprojnë në BE janë forcuar dukshëm së fundi dhe po marrin kontrollin e tregut në Britani, Francën Lindore etj. “Kolegët në Britani thonë se shqiptarët po marrin tashmë drejtimin e tregut të kokainës dhe shpërndarjes në nivelin e mesëm”, pohoi ai. Shqiptarët jashtë po bëhen një kërcënim më i madh, pasi ata duket se janë të përfshirë në tregjet më të mëdha të drogave.
Autoritetet europiane nuk e përjashtojnë mundësinë që grupet që veprojnë në Europë të jenë të lidhur me ata në Shqipëri, madje dyshimet janë se bosët e krimit në Shqipëri janë të mbrojtur dhe nuk i gjen gjë. “Pyetja më e madhe është se si kriminelët shqiptarë, që veprojnë jashtë Shqipërisë, ndërveprojnë me ata që janë në Shqipëri. A janë ata, ashtu siç besojnë oficerët e policisë në disa vende europiane, të lidhur me bosët e krimit, që janë në Shqipëri dhe me sa duket janë të mbrojtur dhe asgjë nuk i gjen ata atje dhe ata organizojnë operacione dhe marrin paratë nga operacione që kryhen jashtë vendit, si trafikimi i kokainës dhe heroinës”, ka pohuar z. Laniel.
Një tjetër fakt, që sipas tij është i sigurt, është që shqiptarët janë përfshirë në sjelljen e kokainës direkt nga Amerika e Jugut, që është një hap tjetër në tregti. Gjithsesi, sipas vlerësimeve të tij, për Europën, Shqipëria nuk është ende një qendër e madhe shpërndarjeje për kokainën, pasi aktiviteti më i madh i importimit dhe shpërndarjes së kokainës për tregjet europiane është nga portet e Belgjikës dhe Holandës. (Monitor)
KOHA JONË SONDAZH

