Qëndrimi i policëve në Shqipëri do t’i kushtojë Italisë mbi 8 mln euro në vit

Gjithsej 295 karabinierë dhe policë italianë, të cilët do të punësohen në qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin do t’i kushtojnë buxhetit të Romës, mbi 8 milionë euro. Agjencia e lajmeve “La Presse” raporton se efektivët e ardhur nga Italia do të qëndrojnë në dhoma teke në dy hotele luksoze, në zonën bregdetare të Shëngjinit. Bëhet fjalë për hotele që ofrojnë një plazh privat, një qendër Wellness, ndërsa qëndrimi përfshin akses në dy “restorante të famshme”.

Sipas artikullit të detajuar kostoja vjetore e jetesës për policët dhe karabinierët që do të punojnë në dy qendrat që qeveria Meloni krijoi në Shqipëri shkon në 8.897.200 euro. Kostoja për çdo punonjës policie është përllogaritur afërisht në 80 euro në ditë, ndërkohë që ekziston mundësia që të përdoret edhe një hotel i tretë, i së njëjtës kategori për t’i strehuar.

Kjo kontratë e qeverisë italiane është nënshkruar për një vit. Kujtojmë se deri më tani edhe pse kampet në Gjadër dhe Shëngjin janë ndërtuar, brenda tyre nuk ka asnjë azilkërkues, pasi edhe 12 prej tyre që u vendosën fillimisht, u kthyen mbrapsht në Bari pas një vendimi të Gjykatës së Romës për emigrantët nga “vendet e sigurta të origjinës”.

Sakaq, forcat opozitare në Itali e konsiderojnë marrëveshjen Rama-Meloni për ngritjen e dy qendrave për azilkërkuesit si humbje të mirëfilltë parash publike, në një kohë kur “forcat policore të vendit kanë prioritete të tjera si rritja e pagave, rekrutimet urgjente dhe blerja e pajisjeve të reja për forcën”.

SHKARKO APP