Qëndrimi i Ramës ndaj Vuçiç, Noka: Tradhti kombëtare. Peleshi: Jemi në një linjë me NATO-n
Këtë të martë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ishte në Komisionin e Sigurisë, në një seancë dëgjimore me deputetët. Ministri u përball me akuzat e deputetëve të opozitës , të cilët thanë se qeveria Rama ka mbajtur një qëndrim “prej struci” ndaj deklaratave të bëra nga presidenti serb Aleksander Vuçiç në kuadër të tensioneve në veri të Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, deputeti Flamur Noka e ka cilësuar si tradhti kombëtare qëndrimin e Ramës.
“Qeveria e Shqipërisë ka luajtur rolin e strucit. Kryeministri ka bërë atë që ishte jashtë çdo perceptimi politik dhe njerëzor. Dashuri patetike për Vuçiç dhe qëndrimin e Rusisë është tradhëti kombëtare. Ai deklaroi se do të dërgonte 1000 trupa në territor shqiptar dhe kryeministri fut kokën si struci. Nuk bën asnjë deklaratë për kundër Vuçiçit dhe kemi parë qëndrime kundër ministrave të Kosovës”,-tha ndër të tjera deputeti demokrat.
Ministri Niko Peleshi iu përgjigj duke thënë që Shqipëria është e para që reagon për çështje të Kosovës, por shtoi ai, “tonet janë gjithnjë në përputhje me ato të NATO-s.”
“Nuk është e drejtë të spekulohet që Shqipëria nuk ka qenë aty kur Kosova ka pasur nevojë për mbështetjeje. Çdo përpjekje dhe veprim i yni është i koordinuar me NATO-n,” theksoi ministri.