Qëndron pas krijimit të vaksinës anti-covid, shkencëtari: Ja ku do t’i kthehemi jetës normale

Prej më shumë se 10 muaj, bota është në luftë të egër me Covid-19 dhe më në fund ka një lajm të mirë. Një vaksinë ndaj Covid-19 që po zhvillohet nga Pfizer dhe BioNTech, është vërtetuar të jetë më shumë se 90% efektive në mbrojtjen ndaj virusit.

Profesori Ugur Sahin, thotë se jeta mund të kthehet në normalitet në Britani të Madhe, Europë dhe SHBA deri në mes të vitit të ardhshëm. Shkencëtari që qëndron prapa vaksinës Pfizer, ka thënë në një intervistë për ”Sky News”, se njerëzit në Britani të Madhe mund të vaksinohen kundër Covid-19 nga mesi i muajit të ardhshëm.

“Mesi i dhjetorit nuk do të thotë se situata do të ndryshojë në mënyrë dramatike. Ky do të jetë një dimër i vështirë. Do të bëhet më keq para se të bëhet më mirë,” tha ai, duke shtuar se njerëzit mund t’i kthehen jetës normale nga mesi i vitit të ardhshëm. Gjatë intervistës, profesori Sahin tha se efikasiteti i vaksinës 90% për parandalimin e Covid-19 është një “rezultat i jashtëzakonshëm”.

Profesori Sahin tha se ndërsa bota pret kontrolle sigurie dhe autorizime qeveritare, gjëja më e mirë që njerëzit mund të bëjnë është të mbajnë një maskë dhe distancën shoqërore. ”Gjithkush ka një përgjegjësi. Nuk ka të bëjë vetëm me qeveritë. Aspekti më i rëndësishëm është të mbash një maskë, të jesh i kujdesshëm dhe të shmangësh shumë njerëz që të jenë shumë të gjatë në një dhomë”,-tha ai.

Ai dhe gruaja e tij Ozlem Tureci, 53-vjeç janë bashkëthemelues të firmës gjermane të bioteknologjisë që punon me Pfizer në një nga 12 provat kryesore të vaksinave antikoronavirus. Të dy me origjinë turke, ata u takuan ndërsa punonin në onkologji në Gjermani, duke krijuar firmën e tyre të parë së bashku në vitin 2001. Ata themeluan BioNTech në vitin 2008, duke shitur kompaninë tjetër për 1 miliard funte në vitin 2016.

Vaksina përfshin injektimin e një pjese të kodit gjenetik të virusit, për ta trajnuar sistemin imunitar. Do të duhen dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh, dhe, sipas kompanive farmaceutike, njerëzit do të jenë të mbrojtur një javë pas dozës së dytë. Vaksina është testuar në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Brazil, Argjentinë, Afrikë të Jugut dhe Turqi. Pfizer beson se do të jetë në gjendje të sigurojë 50 milionë doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard deri në fund të vitit 2021.

SHKARKO APP