Qentë policë rol kyç në ngjarje, Lleshaj: Të futim edhe kuajt
Në 70 vjetorin e Institutit të qenve policë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka deklaruar se ka ardhur koha që qentë të jenë më të përfshirë në Policinë e Shtetit me një rol të shtuar përfshi edhe ruajtjen e objekteve. ”Ka ardhur koha që qentë të marrin rol të shtuar edhe në fusha të tjera, ku veçoj ruajtjen e objekteve ku mund të kryejnë shërbime shumë të dobishme dhe mund të reduktojnë ndjeshëm nevojën për angazhim të shtuar të burimeve njerëzore”.
Ai ka deklaruar se Policia e Shtetit po mendon të futen në përdorim edhe kuajt për patrullime policore. ”Ka ardhur koha edhe për rolin që mund të marrin kafshë të tjera, si kuajt, në shërbimet policore, kryesisht patrullore në zonat e vështira malore, dhe në situata të tjera, por kjo është një formë tjetër, sot gjej rastin që të vetëm të filloni të mendoni”.
Aktualisht, Policia e Shtetit ka qen të cilët kanë aftësi në zbulimin e drogës, armëve, kufomave nën rrënoja ose personave të mbetur e bllokuar në to, qen anti-eksploziv dhe qen roje. Policia kufitare është e pajisur me qen, reparti RENEA e disa drejtori special, ndërsa ndër vite ka pasur e qen të cilët janë vrarë në krye të shërbimit si disa vite më parë në Lezhë ku një person në kërkim pasi vrau qenin polic vrau edhe veten.