“Qershori me 37°C”, meteorologia zbulon se çfarë na pret në tre muajt e verës në Shqipëri
Meteorologia Tanja Porja ka bërë parashikimin e motit për muajin qershor, duke qenë se edhe dy ditë na ndajnë nga hyrja zyrtare në stinën e verës. Muajin e ardhshëm, sipas saj termometri do të arrijë deri në 37 gradë Celcius, shifra këto anormale për muajin e parë të verës, por të ndikuara nga një masë ajrore që shtrihet në Mesdhe dhe vjen prej Afrikës Subsahariane.
“Jemi vetëm dy ditë nga fillimi zyrtar i stinës së verës dhe po nis që në ditët e fundit të Majit me temperatura mbi 30 gradë Celcius. Vera starton shumë egër me temperatura. Pritet që në ditët e para të muajit të qershor të kemi temperaturë 37 gradë Celsius. Shume shpejt edhe në zonat malore termometri të ngjitet në 30 gradë Celcius. Kemi një masë ajrore që na vjen nga Subsaharaja, shumë më poshtë në Afrikë. Është një masë ajrore mjaft e nxehtë dhe e thatë që vjen nga Mesdheu Lindor. Në fillim të qershorit normaliteti do ishte në 31 ose 32 gradë, por ne presim rreth 37 gradë celcius”.- shtoi ajo.
“Presim që mesi i qershorit deri afër fundit të korrikut të jetë periudha me aktivitetin maksimal të temperaturave dhe nxehtësisë në Europë dhe Ballkan. Përtej korrikut do t’i rikthehemi shprehjes gusht dhe gunë. Do të jetë një gusht me një fushë termike më të lëmuar, jo me kapërcime drastike si në qershor dhe korrik. Ka sinjale për reshje. Kulmi i verës pritet të jetë qershori deri nga data 20-25 korrik. Më pas nis rënia graduale”.- thotë meteorologia.