Qeset në Ministrinë e Brendshme ishin për në depon e provave materiale të SHÇBA
Mediat raportuan paraditen e sotme një njoftim nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në të cilin thuhej sedisa qese ma ndihma janë parë të futen në ministrinë e Brendshme. Pas aludimeve në media, ministria e Brendshme reagoi duke sqaruar se bëhej fjalë për disa ndihma që janë dërguar si provë në ministrinë e Brendshme, pasi u janë kapur personave që i kanë vjedhur.
Vetë ministri Sandër Lleshaj reagoi në Twitter duke u shprehur për këtë ngjarje: “Edhe korbat kemi mangut….Teksa jam në Kurbin, në punë për menaxhimin e gjendjes së rëndë, më njoftojnë se disa pisa pa nder dhe dinjitet kanë publikuar një mashtrim të ulët. Patjetër që duhet të jenë me shumë përvojë në poshtërsira, përderisa imagjinata perverse e tyre prodhon turpe të tilla. O të mjerë! Ato qese, që kanë ngazëllyer maninë tuaj perverse, janë prova materiale, që i janë kapur një hajduti si puna juaj dhe nuk po shkojnë në zyrën e Ministrit të Brendshëm, por në depon e provave materiale të SHÇBA, struktura që po kryen hetimin në zbatim të detyrave të prokurorit përgjegjës. Për këtë turp, tani keni dy rrugë: Ose të provoni lajmin e rremë, ose të jepni llogari deri në një para ligjit, si mashtrues ordinerë, që shfrytëzoni gjendjen e rëndë për të bërë biznesin e ndyrë me lajme të rreme. Zgjidhni…..”, shprehet ministri Lleshaj.