”Qeveria e Kosovës, zgjatim i mafies shqiptare”, Balla dënon deklaratat e deputetit francez: Do t’i kërkoj zyrtarisht PE t’i dënojë
Deklaratat e deputetit të Parlamentit Europian, Nicolas Bay kundër shqiptarëve për spastrim fetar të minoritetit serb në Kosovë, janë dënuar nga kryetari i delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian, Taulant Balla.
Balla deklaron se Nicolas Bay, përfaqësues i ekstremit të djathtë, ka bërë deklarata tepër të rënda fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe besimeve tona fetare, duke cenuar rëndë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, si komb autokton në Kosovë.
Sipas Ballës ky është një akt i rëndë, që nuk mund të kalohet kurrsesi në heshtje, adresimi nga një anëtar i PE ndaj qeverisë së Kosovës si një “zgjatim i mafies shqiptare dhe i shtetit të islamizuar shqiptar”.
Po ashtu Balla deklaron edhe se Shqipëria do t’i kërkojë zyrtarisht Parlamentit Europian, që në respekt të rregulloreve të veta kundër rracizmit dhe anti-diskriminimit të dënojnë urgjentësisht këto deklarata të papërgjegjshme dhe marrjen e masave disiplinore dhe ligjore ndaj këtij anëtari të Parlamentit Europian, si nxitës i urrejtjes dhe diskriminimit etnik dhe fetar.