Gati ligji i ri, kush mban armë pa leje deri 7 vjet burg

Ministria e Drejtësisë harton një projektligj të ri që rregullon nenin 278 të Kodit Penal, i cili ka të bëjë me armëmbajtjen pa leje.

Një veprim i tillë u mor si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga Prokurori i Përgjithshëm dhe gjykatave, si dhe konstatimit të gabimit ku armëmbajtja pa leje dënohej deri me 50 vjet burg.

“Qëllimi i këtij projektligji është plotësimi i vakuumit ligjor të krijuar në Kodin Penal, me vendimin nr. 9, datë 26.2.2016 të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e paragrafit të pestë dhe të gjashtë të nenit 278 të Kodit Penal, shtuar me ligjin nr.144/2013, ndryshuar me ligjin nr.98/2014”, thuhet në relacionin e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas ndryshimeve dënimet për armëmbajtje pa leje shkon deri në 7 vjet burg ndërkohë shitja, blerja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave ose minave pa lejen e organeve kompetente shtetërore dënohet me burg nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kjo ministri vijon punën për hartimin e një Kodi të ri Penal:

 Paragrafi 5 dhe 6 I Nenit 278 Kodit Penal parashikonte

Mbajtja e armëve, i bombave apo minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vepra penale kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet.

Si propozohet

-Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

-Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

-Mbajtja e bombave, minave ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

Në këtë rast, marzhi i dënimit maksimal është rritur me një vit, krahasuar me paragrafin e dytë, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet mbajtja e bombave, minave ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, në krahasim me mbajtjen e armëve në banesë.

-Mbajtja e armëve, e bombave, minave, ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Për këtë figurë të veprës penale, është rritur si marzhi minimal, ashtu dhe marzhi maksimal i dënimit me nga një vit.

-Falsifikimi ose fshirja, zhvendosja ose ndryshimi i paligjshëm i shenjave mbi armët dhe municionet luftarake dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Në vijim, neni 278 sanksionon se:

-Prodhimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave apo minave, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet; dhe

-Shitja, blerja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i bombave ose minave pa lejen e organeve kompetente shtetërore dënohet me burg nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Këto dy paragrafë të nenit 278 nuk janë ndryshuar nga neni 278 në fuqi, informon ministria e Drejtësisë

Paragrafi i fundit i nenit 278, sanksionon se kur vepra penale e parashikuar në paragrafët një deri në pesë të këtij neni kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

SHKARKO APP