Qeveria ka dhënë 1.2 mld lekë për 61 bashki në lidhje me zjarret
Me situatën e zjarreve në vend, dalin në pah edhe buxhetet që kanë 61 bashkitë e Shqipërisë për të përballuar emergjencën. 1 miliard e 220 milionë lekë është fondi që qeveria u ka dedikuar bashkive për mbrojtjen nga zjarri në formën e transfertave të pakushtëzuara.
Bashkia Tiranës ka pjesën më të madhe 115 milionë lekë. Për t’u pasuar më pas nga Durrësi e Kamza me respektivisht rreth 49 dhe 47 milionë lekë. Vlora, e cila prej ditësh po digjet në disa zona të saj, ka një fond më modest se këto bashki, por sidoqoftë renditet ndër bashkitë me më tepër para në dispozicion 35.3 milionë lekë.
Bashkia Gjirokastër ku u shënua dhe viktima e parë nga zjarri, ka marrë nga buxheti i shtetit për mbrojtjen prej zjarrit, 29 milionë lekë. Janë 7 bashkitë me më pak para në dispozicion për mbrojtjen prej zjarrit janë ato të Shijakut, Vorës, Divjakës, Finiqit, Himarës, Rrogozhinës, Vau të Dejës me nga 12 milionë ose rreth 1 milionë lekë në muaj.
Fondi i Emergjencave Civile është i domosdoshëm për pushtetin vendor për të menaxhuar pasojat e fatkeqësive natyrore dhe për të ndihmuar banorët t’i përballojnë ato. Për këtë arsye në ligjin për mbrojtjen civile është përcaktuar që ky fond nuk duhet të jetë më pak se 4% e buxhetit total të bashkisë.