Qeveria liberalizon tregun e kontrollit teknik të automjeteve, por i hap rrugën një tjetër koncesioni

Punonjësi duke kryer kontroll teknik të një automjeti, foto ilustruese

Kolaudimi i automjeteve nuk do të bëhet më vetëm nga kompania SGS Automotive Albania, por në treg do të hyjnë edhe kompani të tjera për këtë qëllim.

Këshilli i Ministrave ka ndryshuar vendimin “Për miratimin e rregullores për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” në të cilin parashikohet liberalizimi në tregun e kontrollit teknik të automjeteve, i cili në bazë të vendimit të vjetër kryhej vetëm nga kompania SGS Automotive Albania.

Kompania SGS përfitoi kontrollin e automjeteve në vitin 2009 me një kontratë koncensionare 10-vjeçare pasi më parë kontrolli teknik i automjeteve realizohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.

Në të njëjtën kohë me ndryshimet e VKM-së, parashikohet një tjetër konçension, ai i mbikqyrjes së pikave që do të ofrojnë kontrollin teknik për automjetet.
Sipas VKM-së, mbikëqyrja do të kryhet nga një subjekt i specializuar, që mund të jetë subjekt publik ose privat.

Subjekti mbikëqyrës i qendrave të kontrollit kryen detyrat e përcaktuara:
a) mbikëqyr qendrat e kontrollit; b) verifikon trajnimin dhe provimet e inspektorëve; c) auditon; ç) monitoron; d) vlerëson vlefshmërinë e rezultateve të kontrolleve teknike; dh) i propozon ministrit tërheqjen ose pezullimin e licencave të qendrave kontrolluese dhe/ose të certifikatave të inspektorëve”, thuhet në nenin 234/1 që i shtohet vendimit të mëparshëm të Qeverisë.

Gjithashtu parashikohet që mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore mund t’u jepet me koncesion/partneritet publik privat palëve të treta, në përputhje me ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar “thuhet në rregulloren e re tashmë të hyrë në fuqi.

Vendimi i Këshillit të Ministrave vjen në një kohë kur kontrata me kompaninë SGS Automotive Albania, që kryente deri më tani e vetme kontrollin teknik të automjeteve u zgjat me 16 muaj.

SGS ka kontratën e saj deri në fund të 2020, dhe parashikohet që nëse në treg do të hyjnë kompani të reja atëherë SGS do të njoftohet 3 muaj përpara.

Vendimi parashikon që qendrat e reja të kontrollit teknik, që të licencohen nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse, duhet të ndërtohen mbi bazën e kombinimit të kritereve gjeografike dhe demografike.

Kompania SGS Automotive Albania, që ka hyrë në treg për kolaudimin e automjeteve në 2009-ën, ka 50 mln euro të ardhura (të dhënat e rifreskuara në 2018-ën). /Gazeta Si

SHKARKO APP