Qeveria miraton ligjin e dekriminalizimit, ja kush do largohet nga detyra

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për dekriminalizimin. Ministrja e Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj bëri publike sot detajet e ligjit. 

Deklarata e plotë për mediat e Ministres së Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj:

Ashtu si e kishim premtuar dhe paralajmëruar, Qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave Projektligjin ‘Për Legjitimitetin e Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë funksione publike’.

Nëpërmjet këtij Projektligji qeveria shqiptare i jep zgjidhje përfundimtare debatit të kohëve të fundit mbi të ashtuquajturin “dekriminalizim”.

Falë kësaj nisme të Këshillit të Ministrave, frymëzuar nga ligji italian “Severino” dhe praktikat më të mira ndërkombëtare që adresojnë të njëjtën problematikë, qeveria shqiptare i jep votuesve mundësinë për t’u njohur me të shkuarën e secilit prej kandidatëve që pretendojnë të zgjidhen, emërohen apo të ushtrojnë funksione publike në Republikën e Shqipërisë.

Përmes këtij ligji hapet një faqe e re në historinë e demokracisë shqiptare. Asnjë individ, që në të kaluarën e tij është dënuar në gjykatat vendase apo të huaja, nuk do të ketë mundësi të zgjidhet apo të emërohet në ndonjë funksion publik dhe as të fshehë të kaluarën e tij të errët.

Konkretisht, Këshilli i Ministrave përmes këtij projektligji propozon:

1.  Ndalohet të zgjidhen deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë në këshillin bashkiak;

2.  Të emërohen në detyrën e Kryeministrit, apo anëtarit të Këshillit të Ministrave;

3.  Të zgjidhen në funksione për të cilat voton Parlamenti, këshillat bashkiakë apo këshillat e qarkut; të gjithë personat e dënuar, brenda apo jashtë vendit, me vendime gjyqësore të formës së prerë, për një sërë krimesh të rënda të kryera me dashje e që përcaktohen shprehimisht në këtë projektligj.

Ndalimi për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur do të zbatohet edhe ndaj personave që kanë kryer krimet e parashikuara në ligj edhe për rastin kur ndaj tyre janë dhënë vendime dënimi nga gjykatat e shkallës së parë. Pra, janë dhënë vendime dënimi jopërfundimtare, ose ndaj të cilëve është vendosur një masë sigurimi personal, apo është lëshuar një urdhër kërkimi nga një autoritet gjyqësor i huaj.

Për këtë kategori personash ndalimi do të zgjasë deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit të arrestit ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë.

Në rast se do të rezultojë që të sipërshënuarit, janë tashmë të zgjedhur apo të emëruar, apo janë duke ushtruar një funksion publik, ata do të pezullohen nga çdo lloj funksioni i tillë deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit të kërkimit ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë.

Sa i takon kategorisë së personave të dënuar, ndalimi për të kandiduar, zgjedhur ose emëruar në funksione publike do të jetë në përpjesëtim me rëndësinë e veprës që ata kanë kryer, në kuptimin që për veprat penale më të rënda, të nominuara shprehimisht në ligj dhe të gjendura në listën bashkëlidhur, ndalimi do të jetë përjetë.

Ndërsa për vepra të tjera penale ose për dënime të caktuara, ndalimet do të jenë me afate si me poshtë:

20 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit me burg për dënime që lidhen me veprat penale të korrupsionit apo ato që cenojnë zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;

10 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit në burg për personat që janë dënuar me jo më pak se dy vjet burg.

Verifikimi i të dhënave që përbëjnë shkak për pazgjidhshmëri dhe pakandidueshmëri, do të bëhet përmes vetëdeklarimit të subjektit që kërkon të kandidojë, të zgjidhet apo të emërohet, e mandej përmes verifikimit që do të kenë për detyrë të kryejnë të gjitha organet shtetërore që konform detyrës së tyre funksionale, të përcaktuar nga ligji ose Kushtetuta, do të administrojnë këtë lloj dokumentacioni.

Refuzimi për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit apo mosdorëzimi i tij, do të përbëjnë shkak për mosregjistrimin e kandidatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, apo për mos emërimin nga organi përgjegjës.

Të dhënat e formularit të vetëdeklarimeve parashikohen të jenë publike, ndërkohë që titullari i formularit do të mbajë përgjegjësi penale në rast të të dhënave të rreme ose të shtrembëruara.

Verifikimet për të dhënat e personave në fjalë, do të kryhen si brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar ngushtë me organin e Prokurorisë apo çdo organ tjetër kompetent që disponon informacionin që nevojitet.

Jo vetëm të dhënat e vetëdeklarimeve, por dhe rezultatet e verifikimeve parashikohet të jenë publike dhe kjo shkon në vijë të drejtë me gjithë frymën e ligjit, rritjen e besimit të publikut përkundrejt përfaqësuesve të vetë në rang kombëtar apo lokal, dhe administratës publike.

Ligji parashikohet të ushtrojë veprimin e tij dhe ndaj të gjithë atyre që janë zgjedhur, emëruar ose janë duke ushtruar funksione publike, pikërisht përmes të njëjtave instrumente, vetëdeklarimeve dhe më tej verifikimeve nga organet përgjegjëse.

Qeveria dhe mazhoranca në Kuvend do paraqesin menjëherë në Parlament këtë projektligj, sëbashku me draftin për ndryshimet kushtetuese që reflektojnë parimet e kësaj nisme, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj çështje me interes publik.

Dua të theksoj se jemi të gatshëm të ballafaqohemi konstruktivisht me opozitën mbi këtë projekt dhe të integrojmë në të çdo kontribut që është në përputhje të plotë me frymën dhe germën e ligjit “Severino”, që nuk cenon asnjë standard ndërkombëtar dhe që nuk përbën asnjë lloj shpikje alla shqiptarçe.

Faleminderit!

SHKARKO APP