Qeveria miraton programet për nxitjen e punësimit, Klosi: 7-fishojmë numrin e të punësuarve

Qeverisë ka vendosur që këtë vit të pesëfishojë fondin e mbështetjes së programeve të nxitjes së punësimit. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë, ku dhe janë miratuar ndryshimet në një sërë programesh për nxitjen e punësimit, kryesisht tek të rinjtë, si dhe është miratuar një program i ri për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara. Këtë fakt e ka bërë të ditur ministri i MSR-së, Blendi Klosi, gjatë një daljeje të posaçme për mediat nga selia e Kryeministrisë, sipas të cilit, me anë të këtyre ndërhyrjeve synohet që të 7-fishohet numri i atyre që përfitojnë punësim nga këto programe. “Fondet e nxitjes se punësimit që nga viti 2013 janë pesëfishuar, duke shkuar nga 90 milionë që ishin në vitin 2013, në 490 milionë për këtë vit. Ne synojmë këtë vit të 7-fishojmë numrin e të punësuarve nga këto programe krahasuar me dy vite më parë. Grupet të cilat do të nxiten me përparësi janë të rinjtë, gratë, romët, personat me aftësi të kufizuara, jetimët dhe grupe të tjera, të cilat kanë vështirësi për t’u përfshirë në tregun e punës. Janë 7 programet që do të zbatohen në vitin 2016, duke mundësuar punësimin e mbi 6000 punëkërkuesve të papunë, ku rreth 70% do të jenë femra dhe 55% të rinj”, – tha ministri Blendi Klosi.

 Sipas tij, rritja e konsiderueshme e vëmendjes së qeverisë për këtë program ka sjellë si rezultat nevojën e rritjes së transparencës dhe efikasitetit të mekanizmave të zbatimit të tij. Ndaj, ka theksuar Klosi, ndryshimet e miratuara sot në paketën e këtij programi synojnë pikërisht rritjen e transparencës, rritjen e efikasitetit të fondeve të përdorura për këtë qëllim, rritjen e numrit të punëdhënësve aplikues, si dhe punëkërkuesve të përfshirë. Për miratimin e këtyre projekteve është tashmë funksional një sistem vlerësimi, i cili do të japë si rezultat aplikimin e një numri shumë më të madh punëdhënësit dhe përzgjedhjen automatike nga sistemi i atyre që plotësojnë më mirë kriteret që kanë të bëjnë me: Maksimizimin e numrin e punëkërkuesve të papunë që përfitojnë nga programet aktive të tregut të punës; Sigurimin e proporcionalitetit dhe qasjes së barabartë për të gjitha ndërmarrjet aplikuese në procesin e përzgjedhjes:
Dhënia prioritet atyre ndërmarrjeve që ofrojnë mundësi qëndrueshme të punësimit në sektorët ekonomikë prioritare dhe që mund të ketë një ndikim socio-ekonomik gjatë të qëndrueshme.
Gjithashtu, ministri shtoi se ndryshimet e sotme sjellin disa risi dhe në grupin e përfituesve nga këto programe, duke sjellë një targetim më të mirë të punëkërkuesve të papunë të rinj, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave brenda këtij grupi. Ministri bëri të ditur se fokusi dhe vëmendja është vendosur tek të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës dhe të rinjtë e sapodiplomuar me arsim të lartë në nivelin Bachelor apo Master, nën moshën 30 vjeç, duke iu dhënë atyre shanse për t’u integruar në tregun e punës nëpërmjet kombinimit të formimit nëpërmjet punës për një periudhë 3-mujore me garantimin e punësimit të subvencionuar për një periudhë kohore 9-mujore. “Subvencionimi i pagës në një nivel më të lartë se paga minimale në shkallë vendi dhe i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore e bëjnë këtë skemë më atraktive, si për punëkërkuesit e papunë, ashtu edhe për punëdhënësit”, – tha ministri Klosi në deklaratën e tij.

 Ai shtoi se paralelisht,kohëzgjatja e kontratës së punësimit deri në 15 muaj, rrit probabilitetin e një punësimi të qëndrueshëm për grupin e targetuar. Nxitja e punësimit të kësaj kategorie punëkërkuesish vjen dhe si pasojë e shtimit të numrit të të rinjve të diplomuar, por që hasin vështirësi për t’u përshtatur dhe përfshirë në tregun e punës, për arsye të tilla si, numër shumë i madh i të diplomuarve në degë të tilla, që jo domosdoshmërisht gjenerojnë punësim të menjëhershëm.

 Ndryshimet gjithashtu kanë synim të përmirësojnë targetimin e punëkërkueseve të papuna dhe t’u përgjigjet më mirë nevojave brenda këtij grupi, duke marrë parasysh diversitetin në demografi dhe duke përcaktuar si përfituese femrat kryefamiljare dhe vajzat nëna, të cilat kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, pasi hasin vështirësi më të mëdha në integrimin në tregun e punës, veçanërisht kur kanë fëmijë minorenë nën kujdestarinë e tyre. “Për këtë kategori është propozuar rritja e nivelit të subvencionimit të pagës në masën 115 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, (deri në gjashtë paga) dhe sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, – u shpreh ministri Klosi.

 Klosi shtoi se program i ri i nxitjes së punësimit ka në fokusin e vet edhe jetimët. Për këtë kategori është miratuar një program i veçantë, i cili ka për qëllim të mbështesë kategorinë e të rinjve nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë statusin e jetimit dhe janë të regjistruar si punëkërkues të papunë, duke iu ofruar atyre një program që kombinon formimin nëpërmjet punës me subvencionimin e pagës dhe sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. “Synimi është mbështetja e kësaj kategorie në nevojë për integrim në tregun e punës, gjë që do të sjellë dhe integrimin social të tyre”, – shtoi ministri Klosi.

 Në fund ministri u ka bërë i bëjmë thirrje punëdhënësve që të marrin pjesë dhe të aplikojnë në këto programe. Gjithashtu, ai ka ftuar edhe të gjithë punëkërkuesve të papunë, gra e burra të rinj e sidomos të paavantazhuar si ata me aftësi të kufizuara, romë, jetimë etj., që të jenë aktivë dhe të bashkëpunojnë me zyrat e punësimit që të përfitojnë nga këto programe.

SHKARKO APP