Qeveria nuk tërhiqet nga PPP-të: Në buxhet parashikohen 14.5 mld lekë për 13 kontrata, përfshirë dhe inceneratorët
Pagesat për 13 kontratat koncesionare pritet t’i kushtojnë Buxhetit të Shtetit 14.5 miliardë lekë sipas parashikimeve të projekt buxhetit të vitit 2021.
Vlera më e lartë prej 4.1 miliardë lekë është parashikuar të jepet për rrugën e Arbrit, e cila është në ndërtim e sipër.
Vlerë kjo e raportuar në rritje pasi gjatë këtij viti pagesa për të ishte në shumën e 1.6 miliardë lekëve.
Katër koncesionet e shëndetësisë priten të marrin së bashku 4.6 miliardë lekë.
Sterilizimi është më i kushtueshme me një faturë prej 1.7 miliardë lekësh e më pas ai laboratorëve me 1.28 miliardë lekë.
Për checkup-in janë parashikuar pagesa në vlerën e 876 milionë lekëve, ndërsa për dializën rreth 780 milionë lekë.
Pavarësisht përplasjeve të ditëve të fundit për punën e incineratorëve, qeveria ka parashikuar në vitin që vjen 2.2 miliardë lekë.
Shifrën më të lartë e merr koncesioni për landfillin e Tiranës me një vlerë prej 1.38 miliardë lekësh, me rreth 407 milionë lekë më shumë se këtë vit.
Rritje e pagesave është parashikuar edhe për Fierinme 752 milionë lekë.
Ministria e Financave bën të ditur se shërbimi i skanimit në dogana parashikohet të marrë rreth 1.6 miliardë lekë pagesa.
Vitin e ardhshëm parashikohet që të fillojnë punimet edhe për dy projekte të reja koncesionare në fushën e infrastructures, rruga Milot-Balldre e cila pritet që të marrë 65 milionë lekë dhe rruga Orikum-Dukat me 394 milionë lekë. /Ora News