Qeveria përgjysmon pagesën e ndihmës ekonomike

Të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë muajit të parë të vitit fiksohen në 35.15 mld lekë, tregojnë shifrat zyrtare. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat rezultojnë në rënie të lehtë, prej rreth 2.4%.

Në vlerë monetare, të ardhurat në buxhet rezultojnë 855 milionë lekë më pak, çka përkthehet në rreth 7 milionë euro.

Sa i përket të ardhurave, ajo që bie në sy, krahasuar me një vit më parë, kur vendi nuk ishte prekur ende nga pandemia, por vuante një tjetër krizë, atë të shkaktuar nga tërmeti i nëntorit të 2019-ës, është fakti se TVSH e arkëtuar regjistrohet në rritje të lehtë, ndërkohë që rënie të konsiderueshme regjistron tatimi mbi të ardhurat personale.

Ajo që bie tjetër në sy ndërkohë është dhe rënia e lehtë e kontributeve të arkëtuara nga sigurimet shoqërore, çka duket të jetë reflektim i rritjes së lehtë të papunësisë në vend si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia. Taksat lokale ndërkohë regjistrohen në rritje të lehtë.

Në terma të përgjithshëm, 2021 duket se ka ardhur me hapin e mbarë, pasi efekti i pandemisë në të ardhurat e qeverisë duket të jetë minimizuar.

Nga krahu tjetër, ai i shpenzimeve, vihet re një rënie më e madhe se të ardhurat, prej rreth 1 mld lekësh, në 31.4 mld lekë, nga rreth 32.5 mld lekë të vitit paraardhës.

Shpenzimet kapitale regjistrohen në rritje të ndjeshem krahasuar me një vit më parë, për të prekur shifrën e 963 mln lekësh gjatë muajit të parë të këtij viti, 100% me financim të huaj.

Pavarësisht krizës, vihet re një përgjysmim i pagesës së ndihmës ekonomike, nga rreth 2.6 mld lekë në janarin e vitit 2020, në rreth 1.2 mld lekë janarin e këtij viti.

Burimi: “Scan”

SHKARKO APP