Qeveria Rama, 500 mijë dollarë për vaksinat ruse ndaj Covid-19
Këshilli i Ministrave ka miratuar gati 500 mijë dollarëve për pagesat e dozave të vaksinës Sputnik. Buxhetit të shtetit për vitin 2021, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohen 497 500 dollarë për pagesa ndaj vaksinave Sputnik, sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshjen, ndërmjet “Human Vaccine” LLC dhe Ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik.
Vendimet
1. Kryerjen nga Instituti i Shëndetit Publik të pagesës së dozave të vaksinave anticovid-19, sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshjen, ndërmjet “Human Vaccine” LLC dhe Ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin të Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën kundër Covid-19 “Sputnik V”, të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimit Gamaleya për Epidemiologjinë dhe Mikrobiologjinë në Rusi.
2. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në programin e shëndetit publik, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohet ekuivalenti në lekë (sipas kursit zyrtar të këmbimit në datën e pagesës) i shumës 497 500 (katërqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind) USD të pagesës së dozave të vaksinave anticovid-19, sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshjen, ndërmjet “Human Vaccine” LLC dhe Ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin të Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën kundër Covid-19 “Sputnik V”, të zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimit Gamaleya për Epidemiologjinë dhe Mikrobiologjinë në Rusi.
3. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në programin e shëndetit publik, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohet ekuivalenti në lekë (sipas kursit zyrtar të këmbimit në datën e pagesës) i shumës së sigurimit të mallit gjatë transportit në vlerën 1094,5 (një mijë e nëntëdhjetë e katër presje pesë) USD dhe vlera e transportit të vaksinës në shumën 40 000 (dyzet mijë) euro.
4. Fondi, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.
5. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Shëndetit Publik për zbatimin e këtij vendimi.