Qeveria rihap kazinotë, sociologët: Bien pre të varfrit
Rikthimi i kazinove në Tiranë shihet me skepticizëm nga sociologët. ”Është një medalje me të dyja anët. Nga njëra anë plotësojnë një kërkesë normale, humane të njerëzve që duan të luajnë. Në këtë rast është fjala për ata që kanë mundësi të luajnë, duke shmangur sa të jetë e mundur ata njerëz që besojnë se përmes lojërave të fatit mund të pasurohen. Kjo është gracka dhe rreziku i lojërave të fatit”,- thotë sociologu Gëzim Tushi.
Në vendin tonë këto institucione frekuentohen kryesisht nga familjet më të varfra. ”Në përgjithësi, klientët kryesore janë të varfrit, ky është një paradoks që duhet ta pranojmë. Të varfrit, të ndodhur keq ekonomikisht, mendojnë se ka një rrugë që mund të pasurohen dhe këto janë lojërat e fatit dhe kumari. Historia ka treguar se kjo ide është e gabuar”,- tha më tej Tushi.
Subjektet duhet që të plotësojnë një listë të gjatë dokumentash ku ndër të tjera të tregojnë burimin e të ardhurave, të kenë në objekt të aktivitetit të tyre lojërat e fatit, të jenë transparentë në rastin e aksionerëve kur janë më shumë se një dhe në rast të transferimit të liçencës duhet të njoftojnë autoritetin kontraktor.