Qeveria sqaron tenderin e ilaçve

 

Disa media dhe portale online kanë publikuar sot një artikull në të cilin pretendohet se kompania “Omega Pharma” ka rezultuar fituese në një tender të Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e ilaçeve (sasi shtesë) deri në 31/12/2015, tre ditë pas arrestimit të pronarit të saj. Ndërkohë sipas këtij portali, aktiviteti i kompanisë me institucionet dhe shërbimet shtetërore është bllokuar nga organi i Prokurorisë, që nga dita e arrestimit të pronarit më datë 31/10/2015.

Për tenderin e blerjeve të ilaçeve:

Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurën e prokurimit për blerjen e ilaçeve, të raportuar sot nga disa media dhe portale online, në përputhje me Ligjin nr. 9643, datë 20/11/2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar. Tenderi prej 20 lotesh me vlerë 41,380,291 lekë pa TVSH, është shpallur në sistemin elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) më datën 16/09/2015, ndërkohë ofertat janë hapur më datë 09/10/2015.

Kompania “Omega Pharma” ka qenë pjesëmarrëse në këtë tender dhe në datën 9/10/2015 ka dorëzuar ofertën e cila ka përmbushur tërësisht kriteret ligjore dhe teknike për të marrë pjesë në këtë garë. Pra, nuk ka pasur asnjë penalizim ndaj kompanisë, e cila provohet me dokumentacionin e paraqitur në tender. Nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe procesit të vlerësimit të ofertës që është mbyllur në datën 20/10/2015, rezulton që kompania është në përputhje me kërkesat ligjore të prokurimeve.

Por ndryshe nga ç’ka pretendohet në artikull se kompania ka përftuar 500 milionë lekë, me mbylljen e procesit të vlerësimit më datë 20/10/2015, kompania “Omega Pharma” është shpallur fituese vetëm në një lot, “Lotin 8 Ceftriaxone” (antibiotic), me vlerë 685,790 lekë pa TVSH.

Gjithashtu në artikull pretendohet se firma është shpallur fituese tre ditë pas arrestimit të pronarit të saj. Në të vërtetë, fituesi është publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike me nr. 43, në dt. 2/11/2015 (e Hënë), por njoftimi i fituesit është publikuar në sistemin elektronik të prokurimeve në dt. 29/10/2015 (e Premte) në bazë të Vendimit të KVO-së të dt. 20/10/2015. Pra, siç shihet qartësisht, ky subjekt është shpallur fitues dy javë përpara publikimit në Buletinin e Njoftimeve Publike të APP-së.

Për aq kohë sa për administratorin e kompanisë  “Omega Pharma” nuk ka një dënim penal të formës së prerë dhe një vendim të Gjykatës të formës së prerë, që lidhet me aktivitetin e profesional bazuar në nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale, personi prezumohet i pafajshëm. Gjithashtu neni 30 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë ekzaktësisht se kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.

SHKARKO APP