Qeveria tërhiqet, nuk ka burg për gazetarët

 

Ministrja e Shtetit, Ermonela Felaj tha para nisjes së seancës plenare se “do të ndërhyhet duke bërë saktësimin e nevojshëm,” teksa qeveria duket se është tërhequr nga nisma për dënimin me burg të gazetarëve në rast shpifjeje.   

“Një gjë të jetë e qartë politikanët duhet të jenë korrekt dhe kanë detyrimin të shprehin të vërtetën. Do ketë riformulim të nenit. Nuk ka të bëjë me median” deklaroi Felaj, e cila shtoi se “qëllimi i nenit është të vendosur një marrëdhënien e re me të vërtertën si detyrim për të gjithë. Askush nuk është dakord me atë që ndodh në Kuvendin e Shqipërisë me atë që ndodh.  Të zgjedhurit funksionarët e lartë shtetëror kanë detyrimin që të thonë të vërtetën” tha ajo.

Në Kuvend, ministrja Felaj theksoi se “qëllimi i ligjit nuk është për njerëzit e zakonnshëm, as për mediat. Për shpifjen dhe fryrjen do parashikohet dënimi me gjobë, dënimi me gjobë në kodin penal nuk është dënim civil, por penal, pra nëse gjoba nuk paguhet kthehet në dënim me burg. Neni nuk ka për qëllim të penalizojë njerëzit e zakonshëm, aq më tepër median, por njerëzit e zgjedhur të vendosin një standard të rregullt duke mos akuzuar kot”- tha ajo.

Pas reagimeve për kriminalizimin e  shpifjes që e dënon atë me 3 vjet burg, duke rikthyer kështu edhe dënimin me burg për gazetarët, kreu i qeverisë saktëson se shtesa në projektligj nuk ka lidhje me shtypin.

Në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se shpifja do të jetë vepër penale për politikanët që paguhen me taksat e popullit.

“Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të  jetë vepër penale për çdo politikan që  paguhet me taksat e popullit!”- shkruan Rama.

“Është koha që  kjo shoqëri të përballet hapur me kulturën e shpifjes! Populli nuk na zgjedh dhe nuk na paguan me taksat e tij për të  shpifur!”.

Pas këtij sqarimi, Rama kërkoi ndjesë për keqkuptimin e krijuar. “Edhe neni përkatës duhet të reflektojë këtë qëllim që  e kam shprehur publikisht me kohë. Ndjesë që ka hapur shteg për një keqkuptim të  madh!”

Në fakt shtesa në projektligj nuk bën specifikime, të cilave u referohet Rama.

SHKARKO APP