Qindra banesa dhe mijëra hektarë tokë të përmbytura. Rama: Jemi në situatë normale!

Reshjet e ditëve të fundit kanë përmbytur disa zona të vendit duke krijuar situatë emergjente për banorët. Të dhënat paraprake flasin për qindra shtëpi dhe biznese të përmbytura. Dëmet kryesore janë në Shijak, Shkodër dhe në Vlorë. Vetëm më Sukth dhe Shijak ka 80 banesa nën ujë. Brenda një muaji kjo është hera e dytë që zona të vendit përmbyten nga reshjet e shiut.

Ndërkohë në Shkodër, llogariten mbi 2 mijë hektarë tokë nën ujë, gjë që ka sjellë shkatërrimin e gjithë prodhimeve të fermerëve. Bashkia e Shkodrës njoftoi se si pasojë e përmbytjeve rruga e Obotit është bllokuar. Kalimi mund të bëhet vetëm me varkë lundruese. Ndërsa, ujësjellësi Oblika ka dalë jashtë funksionit. Në Shkodër janë përmbytur 2065 Ha tokë. Në fshatin Obot është ndërprerë energjia elektrike. Toka të përmbytura ka në disa zona në Shkodër, përfshi këtu Dajçin, Velipojën, Gurin e Zi, Bërdicën e disa rrethina të tjera. Bashkia e Shkodrës ka kërkuar ndihmën e ushtrisë për varka e ushqim për kafshët e përmbytura.

Ndërkohë situata paraqitet kritike edhe në disa qytete në Shqipëri, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë, ku zona të veçanta janë përmbytur që prej së martës. Parashikimet meteorologjike tregojnë se reshjet e shiut do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme. Dëmet në biznese dhe te fermerët janë kolosale.

Komiteti i Emergjencave Civile edhe pse duhet të ishte vënë në lëvizje prej ditësh, zyrtarisht nuk ka bërë asnjë mbledhje publike. Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për mediat sot me gazetarët, minimizoi dëmet. Sipas tij, situata është normale dhe nuk ka asnjë emergjentë të jashtëzakonshme. Kryeministri tha se përmbytjet u shmangën falë punës që është bërë në kanalet kulluese. Deklaratat e kryeministrit duken si një tallje për banorët që presin ndihmë nga shteti dhe deklarojnë se nuk ka ndodhur asnjëherë që të përmbyten dy herë brenda një muaji.

Përmbytjet në Shijak

SHKARKO APP