“Qyetari: Fiqo më futi 10 mijë lekë në xhep dhe më tha “na pi një kafe”

 

Vora është kthyer në epiqendrën e zgjedhjeve këto ditë.

Kjo, pas akuzave së kryetari aktual dhe kandidat i PD-së, Fiqiri Ismaili, akuzohet se ka shtuar mbi 500 persona fiktivisht në lista dhe se paguan 10 mijë lekë të reja për votë.

Këtë gjë e tregon edhe një nga qytetarët që ka marrë 10 mijë lekë nga vetë Ismaili, të cilin më pas e ka denoncuar në polici.

“Më tha kryeplaku i fshatit se do të të takojë Fiqo te “Agroblend” dhe takimin e bëmë aty te firma e tij. Ai më futi lekët në xhep, dhe pashë që ishin 10 mijë lekë. Fiqiri Ismaili me premtoi se do më fuste në punë, pasi kam 6 muaj pa punë dhe ne jemi 4 veta në familje.

Kam deponuar me dëshirë në polici, por kam frikë. Kam frikë se mos do të kem probleme më pas. Unë kam 6 muaj pa punë, jemi 4 veta në familje”, thotë qytetari.

Dëshmia

Gazetari: Po të tjerë kishte shumë para teje?

Qytetari: Të thashë hera e parë në jetën teme, nuk më ka zhgënjyer njeri deri më sot.

Gazetari: Po ai kryeplaku, si të mori kryeplaku në telefon, çfarë të tha?

Qytetari: Kemi folur, mirëmëngjesmirëmbrëma, mbiemrin nuk e di. Xhemal, Xhemal e kam dëgjuar tek tregu.

Gazetari: Çfarë të tha kur të mori në telefon?

Qytetari: I pata thënë për të takuar kryetarin, më tepër për punë, se për lekë gjallë në botë nuk i shkoja. U bëra 25 vjet në Vorë s’kam pirë një kafe.

Gazetari: Po lekët t’i futi në xhep se nuk e kuptoj?

Qytetari: M’i futi në xhep, unë i thashë jo, unë i thashë kam ardhur për punë të tjera. Na tha, pi një kafe. Unë nuk e kam parë faktikisht, por kur dola përjashta ishin dy 50-she.

Gazetari: Po për punë të premtoi?

Qytetari: Më tha mbas votimeve kismet, tani nuk të jap shpresë. I thashë të më kthesh në punë asgjë tjetër, të jetoj dhe unë si gjithë të tjerët, bëra 6 muaj pa punë, gjithë ky djalë 45 vjeç të rri pa punë.

Gazetari: Po për votimet çfarë të tha?

Qytetari: E di vetë t’i tha, kaq.

Gazetari: A të detyroi njeri me zor të vijë këtu?

Qytetari: Vetë mo vetë kam ardhur. Them se do të kem problem nesër, pasnesër, si të vijë puna.

Gazetari: Me Fiqon?

Qytetari: Jo me Fiqon, por si thonë, do të shtyjë dikë tjetër, pse shkove, pse ktheve, pastaj e fundit fare si të vij, dy duar për një kokë, nuk kam ça të bëj. Dy fëmijë i kam në shtëpi, nusen. Thjesht unë thashë kam ato 6 muaj pa punë, me rrogën e nuses 180 mijë lekë kaloj muajin. Kjo punë nuk e di si do shkoj kaq shumë.

Gazetari: Po për mbas votimeve çfarë të tha, do të gjej punë?

Qytetari: Kismet tha, ndonjë vend pune në ujësjellës, kanalizime.

Gazetari: Po lekët si t’i dha, kur u çove apo direkt aty në tavolinë?

Qytetari: Në karrige siç isha.

Gazetari: T’i hodhi kështu. Apo t’i futi në xhep?

Qytetari: Mi futi në xhep, as nuk i kam parë unë.

Gazetari: Si nuk i pe, kur të futi lekët në xhep?

Qytetari: Jo për Zotin.

Gazetari: Tek zyrat, atje tek “Agroblendi”?

Qytetari: Po.

Gazetari: Kur të dha dorën të futi lekët?

Qytetari: Jo.

Gazetari: Po si t’i futi lekët se nuk e mora vesh?

Qytetari: U ngrit dhe mi futi në xhep. Na pi një kafe, më tha.

Gazetari: Kush?

Qytetari: Kryetari , pra!

Gazetari: Fiqo?

Qytetari: Po, kryetari.

SHKARKO APP