Qytetarët dënojnë dhunën policore ndaj protestuesve: Arrestimi i fëmijëve, kriminal
Sjellja e policisë ndaj protestuesve është dënuar nga qytetarët ndërsa i konsideruan si të dhunshme ato që kanë ndodhur në dy ditë protestë. Por një pjesë e qytetarëve gjithashtu shprehen kundër dëmtimit të pronës publike nga ana e protestuesve.
Policia përballë protestuesve nuk kurseu gazin lotsjellës, sprajin djegës dhe dhunën fizike.
“Përdorin dhe shkopinjtë e gomës kundër të rinjve, bëjnë shumë gabim.Duhen dënuar ata policë.Jo vetëm duhen hequr nga detyra por edhe në burg duhet të shkojnë.”
“Ku e merr guximin polici, ku i ka garancitë? Do të thotë që këtu ka diçka që nuk shkon, ka një urrejtje ndaj popullit.”
Disa prej të rinjve përveç dhunës prej policisë, u shoqëruan edhe në komisariate, mes tyre edhe fëmijë.
E gjithë kjo sjellje është dënuar nga qytetarët dhe disa prej tyre thonë se arrestimi i fëmijëve është kriminale.
“Është shkelje e të drejtave, është shkelje e konventës.”
“Të marrësh një 12 vjeçar në burg është krim, terrorizohet fëmija.”
Kritikat janë të shumta për sjelljen e policisë, por nuk mungojnë as ata që dënojnë shkatërrimin e pronës publike.
Semaforët e thyer, stacione urbani të dëmtuara, por edhe institucionet e kulturës nuk i shpëtuan protestuesve të revoltuar.
“Është vrasje individuale, një polic që nuk zbatoi rregulloren vrau një njeri. Është kriminale, është drithëruese, është shumë e egër. Por egërsia nuk duhet zgjidhur me egërsi.”
“Të vrasësh një person që nuk ka faj nuk është e drejtë, por ne jemi popull derra që prishim, këto janë detyrimet tona, taksat tona që paguajmë.”
Në ditën e dytë të protestës, duket se dekori i Bashkisë për festat e fundvitit nuk i ka rezistuar protestës, ndaj një pjesë e tyre u hoqën.