Qytetarët homazhe në rrugë, motra e Egli Progës: I ka mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim i mbyllën jetën

Këtë mbrëmje qytetarët e Pogradecit kanë dalë masivisht për të bërë homazhe për vrasjen e Egli Progës pak ditë më parë. Motra e të ndjerit ka folur për mediat, duke thënë se kërkon drejtësi dhe këtë betejë ajo do ta çojë deri në fund. Ajo i kërkojë dëshmitarëve të ngjarjes të tregojnë të vërtetën, i kërkojnë sistemit të drejtësisë të marrë vendimin e duhur për autorët, ndërsa kërkojë edhe ndihmën e avokatëve dhe juristëve në vend për të zbardhur të plotë këtë ngjarje.

”I ka mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim i mbyllën jetën, do të shkojnë në burg të gjithë, pa asnjë përjashtim, si ata plehra që e dhunuan dhe ia morën shpirtin këtu, si ata të pashpirtët që kërkuan ta mbyllin këtë vrasje makabre me heshtje apo me letra. Kam vetëm një kërkesë për ata që më dëgjojnë sot, për pogradecarët, flisni, mos kini frikë!

Tregoni të vërtetat tuaja për banditët që i morën jetën Eglit, dëshmoni sepse ata mund t’iu vrasin vëllezërit tuaj nëse shpëtojnë paq, tregoni kush i mbron, kush janë kriminelët pas tyre! Kërkoj nga sistemi i drejtësisë, avokatë, prokurorë, gjyqtarë, këtë herë nuk ka para, nuk ka miq, nuk ka ndërhyrje dhe taraf.

Mos bëni gabimin ta godisni me shkelma e grushte vëllanë tim, siç bënë barbarët që do të përpiqen t’iu blejnë. Kërkoj drejtësi. Duke filluar nga sot, i bëj thirrje avokatëve dhe juristëve të Shqipërisë të vijnë të mbrojnë Eglin bashkë me mua”, u shpreh motra e Egli Progës.

SHKARKO APP