Qytetarët i bashkohen festës së Shëngjergjit, Veliaj: Promovojmë zonat rreth Tiranës

Qindra qytetarë iu bashkuan sot festës së Shëngjergjit, ku veç muzikës dhe natyrës, shijuan edhe produktet bujqësore dhe blegtorale të zonës. Pjesë e kësaj feste është bërë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka deklaruar se aktivitete të tilla synojnë që të promovojnë zonat përreth Tiranës, si potenciale turistike dhe tërheqëse për të gjithë ata qytetarë që pëlqejnë malin dhe lojërat ekstreme.

 

“Këtë aktivitet mund ta kishim bërë edhe në Bllok, por donim që njerëzit të vinin nga Tirana deri në Shëngjergj, për të zbuluar se zonat rreth Tiranës kanë shumë pasuri. Unë besoj se vlera më e madhe e këtyre aktiviteteve nuk është vetëm dita e sotme, po është dita e nesërme me lidhjet që krijohen, shoqëritë që paguajnë, marrëdhëniet e biznesit me njerëz që marrin furnizime në zonë, turizmi që vjen dhe paratë që investohen sepse në fund të ditës ka vetëm një qëllim që është qëllimi ekonomik”, tha kryetari i Bashkisë në fjalën e tij.

 

Ndërsa ka falenderuar të pranishmit e shumtë që kishin ardhur në Shëngjergj, Veliaj i ka ftuar ata që të shpenzonin një minimum parash si një mundësi për të zhvilluar ekonomikisht zonën. “Para se të largoheni nga Shëngjergji duhet të shpenzoni të paktën 10 mijë lek. Se do i shpenzoni duke ngrënë drekën, se do i shpenzoni duke blerë pak mjalt, pak raki, pak djath apo pak çaj mali, këtë vendoseni ju, por dua që kush ka ardhur nga Tirana minimalisht duhet të shpenzojë 10 mijë lekë. Është e vetmja rrugë që ne të sigurohemi që ekonomia dhe paratë rrijnë në zonë dhe brenda vendit. Unë e di fare mirë që ne kemi edhe alkol importi, edhe fruta importi, edhe bulmet importi, por nuk ka si prodhimet tona, janë të freskëta dhe është më mirë kur paratë mbeten në ekonomi”, shtoi kryetari i Bashkisë.

 

Më tej ai ka theksuar se tashmë organizime të tilla duhet të bëhen pjesë e axhendës së të gjitha njësive të tjera administrative të Tiranës, kryesisht të atyre që kanë pasuri natyrore dhe kanë se çfarë t’u ofrojnë sot turistëve, qoftë atyre që vijnë nga Tirana, ashtu edhe të huajve. “Ujëvarë si e Thethit kemi edhe këtu në Shëngjergj, shtëpi si ato të Thethit kemi dhe këtu në Shëngjergj dhe me gjithë dashamirësinë për Thethin, më duhet të them se ne e kemi zonën malore vetëm 30 minuta nga Tirana. Më vjen mirë që edhe rrugët janë të mira dhe për 30 deri në 40 minuta je në Shengjergj, duke e  bërë më të lehtë për ta eksploruar këtë zonë”, tha kryebashkiaku.

SHKARKO APP