”Qytetarët marrin padrejtësi”, PD: Bashkitë kanë dështuar për krijimin e shërbimeve bazë vendore
Sekretarja për pushtetin vendor në PD-në zyrtare, Alfrida Marku Dedëgjonaj doli në një deklaratë për mediat dhe foli për reformën Administrative Territoriale. Ajo u shpreh se edhe pse kanë kaluar 9 vite nga Reforma Administrative Territoriale, të cilën e quajti i të njëanshme dhe aspak objektive, qytetarët vijojnë të përballen me sfida e vështirësi. Marku tha edhe se bashkitë kanë dështuar tu mundësojnë taksapaguesve shërbimet bazë vendore, përmirësimin e tyre, mbulimin e gjithë territorit dhe investimet e duhura.
Deklarata e plotë:
Qytetarët e 61 bashkive, edhe këtë vit, do të paguajnë më shumë taksa dhe tarifa vendore për shërbime të cilat vijojnë të mbeten vendnumëro dhe investime që nuk reflektojnë prioritetet e nuk i përgjigjen planeve afatgjata të zhvillimit.
9 vite nga Reforma Administrative Territoriale, e njëanshme dhe aspak objektive, qytetarët vijojnë të përballen me sfida e vështirësi të paralajmëruara prej kohësh nga Partia Demokratike. Bashkitë kanë dështuar tu mundësojnë taksapaguesve shërbimet bazë vendore, përmirësimin e tyre, mbulimin e gjithë territorit dhe investimet e duhura. Buxhete vendore të pakonsultuara paraprakisht, e ndërkohë në Buxhetin e shtetit nuk adresohen në mënyrë të drejtë, problematikat e njejta të bashkive të ndryshme.
Investimet përqëndrohen në qendrat e Bashkive duke lënë në harresë zonat rurale. Zhvillimi tashmë i pakontrolluar urban, jashtë çdo standarti, investimet jocilësore dhe me kosto të pajustifikuar, ndërtimet masive, kanë bërë të pashmangshëm kaosin në qytetet e mëdha dhe zonat bregdetare, ku këto të fundit gradualisht po humbasin edhe identitetin.
Raporti për frymë i hapësirave publike është deri 20 herë më i ulët se indikatorët. Furnizimi me ujë të pijshëm mbetet ende shumë larg zgjidhjes, edhe në zonat bregdetare, kur turizmi duhej të ishte vërtetë prioritet, ndërkohë rritja e tarifës së ujit të pijshëm në disa bashki, pa investime dhe për të mbuluar humbjet në rrjet, do të jetë një tjetër barrë e shtuar për familjet e bizneset.
Bashkitë janë kthyer në Institucione jo efiçente punësimi, me mbi 30% të të punësuarve të sektorit publik, dyfish krahasuar me pjesën më të madhe të vendeve të Rajonit. 87 milion euro do ti kushtojnë taksapaguesve të Tiranës pagat për administratën prej 8.596 të punësuarve në Bashki. 87 milion euro për administratën e bashkisë Tiranë, janë po aq sa Buxhetet totale të këtij viti për Bashkitë bregdetare Sarandë, Durrës dhe Vlorë së bashku.
Të njejtit aktorë të po të njejtit skenar sikurse në Parlament, në përpjekje për tu dukur e kundërta e njëri tjetrit, në fakt bashkëpunëtorë e përgjegjës të gjendjes ku janë sot shqiptarët për shkak të abuzimeve në 33 vite, miratuan Buxhetin prej 323 milion euro
tw Bashkisë Tiranë, pa konsultim me qytetarët, pa u shqyrtuar e diskutuar në Këshill, duke i mohuar Opozitës të drejtën dhe detyrimin për të përfaqësuar qytetarët, të cilët do mbeten sërish pa zgjidhje për trafikun kaotik, për përmbytjen e qytetit, mungesën e hapësirave publike, kthimin e Tiranës në kantier ndërtimi nga paratë e pista, harresën totale të njesive të tjera administrative dhe zonave rurale.
“Taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore, që rëndon në ekonominë e familjeve të Bashkisë Tiranë 8.9 milion euro, jo vetëm nuk adresohet për infrastrukturën arsimore, por prindërit detyrohen të paguajnë tarifa deri sa gjysma e pagës minimale, për akomodimin e fëmijëve në kopështe e çerdhe private, pasi ky shërbim nuk mundësohet në kapacitete të mjaftueshme nga Bashkia.
Banorët e Durrësit e qindra mijëra pushues në sezon do vijojnë të mos kenë zgjidhje për infrastrukturën rrugore të degraduar, problemet e theksuara të pastrimit, mungesën e hapësirave publike, si dhe problemet e furnizimit më ujë të pijshëm e të kontrolluar. Buxheti i Bashkisë vë në dispozicion vëtëm 15 mijë lek për banorë, ndërkohë, Veliera, konstruksioni metalik abuziv me kosto të pajustifikuar, u ka kushtuar taksapaguesve të Durrësit, 11 milion euro, apo sa 1/4 e buxhetit vjetor vendor.
Me 47 % e Buxhetit për paga e vetëm 5% për turizmin, rritja me 35% e tarifës së ujit të pijshëm, qw e dyfishon krahasuar me 2019, është abuzimi më i ri në Bashkinë e Vlorës, për të mbuluar amortizimin në infrastrukturë dhe mungesën së investimeve.
Asnjë masë nuk ka marrë bashkia Elbasan për gjendjen alarmante të ndotjes mjedisore. Sikur të mos mjaftonte kjo, dhjetra hektar pyje e kullota do të asgjesohen për t’ju hapur rrugë parqeve fotovoltaike, pa konsultim paraprak public dhe me ekspertë, në mungesë të një studimi të detajuar të kushteve mjedisore, pa transparencë mbi cilësinë e materialeve që do të përdoruren, doemos të riciklueshme, si dhe pa verifikuar historikun e subjekteve që kanë aplikuar për këto projekteve. Gjasat janë që “Parqet fotovoltaike” të sjellin skandale të tjera sikurse inceneratorët, jo vetëm në Elbasan por kudo në Bashkitë në vend ku kanë nisur me nxitim procedurat. “Sitrof Energy and Construction”shpk, subjekti aplikues për marrjen në përdorim të 81.9 ha nga fondi pyjor në Bashkinë Klos për ndërtimin e parkut fotovoltaik, për të cilin Bashkia dhe Këshilli Bashkiak Klos kanw nisur procedurat në tetor 2023,rezulton shoqëri e themeluar në korrik 2023, me kapital themeltar 100.000 lekë.
30-40% më shumë taksa e tarifa vendore në Korçë, dhe pa vëmendje për bujqësinë. 40% e buxhetit në Shkodër për paga e vetëm 13.9% për investime, duke harruar se propaganda është shpenzim e jo shërbim.
Të vetmet investime të parashikuara në Buxhetin i Bashkisë Lezhë për vitin 2024 fshihen pas fjalës rehabilitim i rrugëve, pa projekte konkrete, pa detaje teknike apo kosto për këto ndërhyrje. Mungesa e transparencës, lë vend për abuzime, e jo pa shkak, vitin që lamë pas Bashkia Lezhë ishte ndër institucionet vendore me numrin më të lartë të procedurave në kundërshtim me rregullat e prokurimeve publike. Sa më shumë abuzime aq më shumë propagandë!
Të gjitha këto e jo vetëm, janë probleme të akumuluara, pamundësi e paaftësi, abuzime të reja që iu shtohen abuzimeve e vjetra, duke rënduar gjithnjë e më shume gjendjen e familjeve shqiptare.
Bashkitë dhe qeverisja qëndrore kanë dështuar së bashku në misionin e tyre për të përmirësuar jetën e qytetarëve, të cilët për shkak të mungesës së shërbimeve janë detyruar të braktisin zonat ku ata banojnë, apo të largohen përfundimisht nga vendi ynë.
Rishikimi i Reformës Administrative e Territoriale, me ekspertizën më të mire dhe vullnet politik për ti shërbyer INTERESIT QYTETAR DHE ZHVILLIMIT, për të bërë të mundur qartë Decentralizimin dhe Autonominë vendore, zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, reduktimin e shpenzimeve administrative të paarsyeshme, fuqizimin e Bashkive si institucione që mundësojnë shërbime e investime bashkëkohore dhe kudo afër qytetarëve, është obligim ndaj tyre, taksapaguesve që duhet realizuar një orë e më parë e për të cilin Partia Demokratike është e angazhuar dhe e vendosur për të ndjekur hapat e duhur e të domosdoshëm.