Qytetarët në protestë: Vlora jo kosh kimik, mos na helmoni (VIDEO)
Qytetarët e Vlorës kanë dalë sot në protestë kundër sjelljes nga Italia të mbetjeve të rrezikshme. Ata janë shprehur se Vlora nuk është kosh kimik. “Qytetarët vlonjatë ju kërkoj që të na bashkoheni që të rritemi në një qytet të pastër dhe jo një plehrë që na e ka bërë Edi Rama me Dritan Lelin. Nuk mund të pranojmë që mbetjet të na helmojnë. Vlorës i është vendosur kamza. I bëjmë thirrje SPAK-ut që të hetojë këtë çështje dhe të mos e lërë në dorë të Zotit. Ky është një veprim anti shqiptar dhe anti-njerëzor”.
Prokuroria e Vlorës ka bllokuar tragetin në Vlorë ku u gjetën mbetje të dyshuara të rrezikshme, ndërsa kanë nisur verifikimet për të përcaktuar llojin dhe sasinë. Dyshimet janë për një tentativë të trafikimit të mbetjeve të dyshuara të rrezikshme nga Italia në Shqipëri që nësë do të provohet është e para e viteve të fundit dhe nga ana tjetër një këmbanë e fortë alarmi.
Nga këqyrja dhe testimi i materiale me pajisjen “MINI RAD” që u gjetën dhe u sekuestruan, në procesverbal theksohet se rezultoi se ato nuk kanë përmbajtje radioaktive. “Pasi është shkuar brenda vendit ku ndodhej prova materiale nga ana e punonjësit të doganës Vlorë është ndezur pajisja dhe është matur në të gjithë territorin ku ndodheshin mbetjet provë materiale, por nga testimi me pajisje nuk rezultoi të shfaqeshin në ekranin e pajisjes sinjalistike si numra të nivelit, efekte zanore apo dridhje që të na paralajmëronte dhe do të na provonte se në këto mbetje do të kishte element radioaktiv që maste kjo aparaturë”.
Mostrat e materialeve do të analizohen në Institutin e Fizikës Bërthamore. Pas zbulimit të rrjetit që dyshohet se kontrabandonin në Shqipëri lëndë të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin me qëllim për t’i depozituar në vendin tonë, gjashtë të arrestuarit në Vlorë, mohojnë të kenë lidhje me trafikun e mbetjeve toksike të rrezikshme. Po ashtu edhe përfaqësuesit e kompanisë italiane që kanë në pronësi tragetin e linjës së Brindisit mohojnë dyshimet që janë ngritur.