Qytetarët protestojnë kundër çmimit të rritur të transportit urban

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë protestuan përpara Bashkisë së Tiranës duke kërkuar anulimin e rritjes së çmimit të biletës së transportit urban, ndërsa udhëtuan me linja të ndryshme duke refuzuar të paguanin biletën.

Nga Ivana Dervishi, BIRN

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë marshuan nga Ushtari i Panjohur drejt Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër rritjes së çmimit të biletës së transportit urban. Ata mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Shpallni falimentin, o Bashkia, o Kompania”, “Shtetëzoni transportin publik, jo fitimin privat”.

Protestuesit e cilësuan të palogjikshëm rritjen me 33% të çmimit të biletës së transportit urban, në kushtet kur shërbimi ndaj qytetarëve nuk është përmirësuar.

“Pasojat e këtij modeli janë katastrofale për xhepat e qytetarëve dhe ekonominë e qytetit,” thuhej nëdeklaratën e tyre.

Rritja e çmimit të biletës së autobusëve urbane nga 30 në 40 lekë hyri në fuqi më 1 shkurt. Në të njëjtin vendim, Bashkia rriti çmimin e abonesë së posaçme nga 900 në 1400 lekë dhe abonenë e përgjithshme nga 1200 në 1800 lekë.

Qytetarët dhe aktivistët pjesmarrës në protestë kërkuan transparencë në kosto dhe fitime të kompanive përgjegjëse për transportin urban në Tiranë, si dhe përmirësim të kushteve të këtij shërbimi.

Një investigim i BIRN zbuloi se ky vendim është marrë në mungesë transparence nga KëshilliBashkiak; ndërkohë që relacioni shoqërues i tij nuk përmban argumente bindëse që justifikojnë rritjen e çmimit, i cili do të rëndojë buxhetet familjare të qytetarëve të Tiranës.

“Lëvizja është një e drejtë e çdo qytetari dhe jo një privilegj. Qytetarët po paguajnë për krizën e qeverisë,” tha në protestë aktivisti Klodi Leka.

Në formë proteste ndaj rritjes sëçmimit, një grup të rinjsh prej 10 vetash udhëtuan me tre linja të transportit urban dhe refuzuan të paguanin për biletën.  Ata i bënë gjithashtu thirrje qytetarëve të mos e paguanin çmimin e rritur.

“Ne kërkojmë anulimin e rritjes së çmimit të biletës dhe aboneve. Ofrimin e shërbimit falas për kategoritë në nevojë, përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe bileta të vlefshme me afat kohor,” thanë aktivistët.

Protestuesit i bënë gjithashtu thirrje Bashkisë Tiranë të anulojë koncesionin për parkingjet nëntokësore në 11 hapësira publike dhe paralajmëruan për përshkallëzim të protestave.

SHKARKO APP