Qyteti i gurtë po digjet/ Ministria e Mbrojtjes: Mbi 520 ushtarë në terren. 1 viktimë dhe ka të lënduar rëndë

Mbrëmjen e kësaj të marte, Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të situatës aktuale nga zjarret në vend, duke bërë të ditur se aktualisht janë në terren mbi 500 forca ushtarake, si dhe zjarrfikëset. Situata më e rëndë paraqitet në Gjirokastër, ku zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar fshatin Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo.

Në këtë qark, këtë pasdite u shënua edhe viktima e parë nga flakët, si edhe ka disa të tjerë që kanë mbetur të lënduar rëndë, ku njëra është edhe gruaja e viktimës, si edhe një ushtar është asfiksuar.

Një ushtar i Forcave të Armatosura është dërguar i asfiksuar në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës si pasojë e ndërhyrjes dhe luftës në terren me flakët në fshatin Krinë, Njësia Administrative Antigonë Bashkia Gjirokastër.

Gjendja e ushtarit paraqitet e rëndë, ndërkohë që gruaja e të ndjerit Andrea Haxhiaj, i cili humbi jetën rreth orës 15:00 si pasojë e flakëve në fshatin Asim Zeneli, është transportuar me urgjencë për në kryeqytet për ndërhyrje të specializuar.

Deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes

Në Gadishullin e Karaburunit, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar të jetë aktiv zjarri. Në vendngjarje ndodhen 521 forca ushtarake, dhjetëra nga pushteti vendor si forca zjarrfikëse dhe të emergjencave civile, 50 mjete. Po punohet për fikjen e flakëve edhe nga ajri me helikopterë të FA dhe të kontraktuar. Një vatër zjarri është zhvilluar në Himarë, Livadhë rreth orës 11:00. 15 efektivë të Bashkisë Himarë po e mbajnë nën kontroll situatën.

Në qarkun e Shkodrës, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës. Forcat e Shërbimit vendor i MZSH Vau Dejës së bashku me forcat pyjore dhe banorë nga komuniteti po punojnë për shuarjen e vatrës, e cila është problematike, pasi po favorizohet nga erërat. Deri tani janë djegur 10 ha kullotë, ndërsa situata është në monitorim.

Në bashkinë Gjirokastër zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar fshatin Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo. Është raportuar një humbe jete dhe një e plagosur. Puna në terren vijon me të gjitha kapacitetet e qarkut Gjirokastër (MZSH Gjirokastër, Dropull, Tepelenë, Libohovë, Përmet), bashkia Sarandë dhe mjete të FA.

Po punojnë forca zjarrfikëse, Policia Shtetit, Forca të emergjencave civile, Forca të Armatosura, urgjenca mjekësore me 5 autoambulanca. Po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri me helikopterë. Është riaktivizuar vatra në kodrat e fshatit Qesorat, njësia administrative Lunxhëri, bashkia Gjirokastër. Në vendngjarje kanë shkuar 6 zjarrfikës me 2 mjete dhe situata po ndiqet me seriozitet.

Është riaktivizuar vatra e zjarrit në pyllin e fshatit Shetaj, njësia administrative Ishëm të Durrësit. Forcat e policisë së Shtetit, punëtorë të ndërmarrjeve të bashkisë Durrës dhe dy mjete zjarrfikëse me 6 efektivë po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët. Shërbimi i zjarrfikëses në Kavajë ka njoftuar për një vatër zjarri në fshatin Domën në lagjen Xhelezaj. Në vendgjarje ndodhen mjeti zjarrfikës me efektivët e MZSH Kavajë.

Në Tiranë, në rrugën “Dine Hoxha”, tek Bregu i Lumit, në Paskuqan ka rënë zjarr në një pikë skrapi. Tre shërbime zjarrfikëse si dhe shërbimet e policisë po merren me normalizimin e flakëve. Nuk ka rrezik për banesat.  Në qarkun e Beratit u njoftua se ka rënë zjarr në shkurre në fshatin Zogas, në Skrapar. Në vendngjarje kanë shkuar forcat dhe mjetet e MZSh Skrapar, të cilët kanë bërë izolimin e flakëve.

Lexoni edhe:

Viktima e parë nga zjarret/ Meta: Qeveria të angazhohet seriozisht, jo me mjete rrethanore. Banorët të evakuohen

1 viktimë nga zjarret/Basha: Alarmante, masat gjysmake të qeverisë nuk kanë normalizuar asgjë

Zjarret në Shqipëri/ Ambasada Amerikane: Lutjet tona për ata që preken nga flakët

Lufta me flakët në Gjirokastër, asfiksohet një ushtar. Gjendja është e rëndë

SHKARKO APP