Radhë kilometrike automjetesh në aksin Tiranë-Elbasan

Fluks i lartë automjetesh në aksin nga Tirana në drejtim të Elbasanit e më tej në drejtim të qyteteve të tjera të vendit. Sot në mbrëmje radha e automjeteve ka qenë kilometrike dhe niste nga dalja e tunelit deri në Elbasan.

Drejtuesve u është dashur të presin deri në një orë në radhë për të kaluar tashmë këtë aks të vështirë rrugor. Shkak është bërë fluksi i lartë i automjeteve për festat e fundvitit pasi në këtë aks qarkullojnë automjetet që udhëtojnë nga Tirana drejt Elbasanit, Pogradecit dhe Korçës, por edhe në drejtim të qyteteve të tjera si Durrësi, Vlora, apo Berati.

Trafik i dendur konstatohet edhe në unazën jugore të Elbasanit, aksi Elbasan-Cërrik, Elbasan-Peqin dhe disa rrugë brenda qytetit. Prej kohësh ky aks rrugor ka trafik të rënduar pasi në përfundim të autostradës rruga ngushtohet dhe është vetëm me dy korsi.

Policia rrugore është në shërbim të vazhdueshëm në këto akse, megjithatë e ka të pamundur të menaxhojë trafikun për shkak të fluksit të lartë dhe rrugës së ngushtë. Zgjidhja e vetme është ndërtimi i by pass-it të Elbasanit.

Radhë kilometrike automjetesh në aksin Tiranë-Elbasan

SHKARKO APP