Radhë të gjata në doganën e Kapshticës/ Mungesa e sporteleve detyron emigrantët të presin në 39°C
Ashtu sikurse në çdo sezon veror edhe këtë verë në pikën kufitare të Kapshticës janë krijuar rradhë të gjata emigrantësh, të cilët presin të hyjnë në territorin shqiptar.
Fluksi i shtuar ka krijuar radhë të gjata automjetesh të cilat vijojnë për kilometra të tëra, duke pritur kalimin nën temperaturat e nxehta deri në 39 gradë Celcius.
Siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme të siguruara nga FaxWeb.al, një situatë e tillë është kthyer në tepër problematike për udhëtarët, qofshin ata fëmijë, të rritur apo edhe të moshuar, të cilët të lodhur nga pritja kanë vendosur të dalin nga makinat për t’i ‘shpëtuar’ të nxehtit të lartë.
Burime bëjnë me dije se rradhët e gjata vijojnë për shkak të numrit të ulët të sporteleve të vëna në dispozicion në pikëkalimin, ku mësohet se pala greke po punon vetëm me dy sportela ndërsa pala shqiptare me 4.