Radikali mbajti ”peng” familjen që të ishin ”bio”. Drama misterioze në mes të Tiranës
Nga: Redjon Shtylla
Një denoncim nga kunati i Gjergji Laçit, çoi në arrestimin e këtij të fundit, si edhe zbuloi një krim në këtë botë moderne, atë të ngujimit. Familjari 52-vjeçar, prej 6 vitesh mbajti peng në shtëpi, gruan dhe djemtë minorenë, ku edhe ushtrimi i dhunës përgjatë 12 viteve, e deklaruar nga bashkëshortja e tij, nuk ka munguar.
52-vjeçarit të cilit policia i gjeti edhe municione, dëshmoi para oficerëve të policisë dhe të Antiterrorit, se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar nga lëndët narkotike, dhe se ka ndjekur parimet e tija fetare. “Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.
Dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht. Babai dhe motra e Gjergj Laçit, kanë një version ndryshe të historisë. Për ta 52-vjeçari nuk ka ushtruar dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve, por se ai vuan prej vitesh nga sëmundje të shëndetit mendor.
Motra e Gjergjit, ka mohuar akuzat se vëllai i saj dhunonte familjen dhe se i ka ngujuar ata për 6 vite. Ajo ka komentuar edhe deklaratën e vëllait të saj në polici, se familjen e ngujoji pasi i mbronte nga e keqja. Për të vëllai i mbronte fëmijët nga sëmundjet që qarkullojnë, nga droga dhe mos prekeshin nga të këqijat.
52-vjeçari njihet si praktikant i fesë, por nga ana tjetër edhe si person që konsumonte alkool. Laçi është një emër i njohur për policinë pasi në vitin 2013 është arrestuar nga forcat RENEA për shkak se qëllonte në ajër me automatik duke alarmuar banorët e zonës.
Djali është shprehur se babai i tyre mbante edhe thika me vete. Por 52-vjeçari pretendon se fishekët dhe armët e ftohta që iu gjetën në banesë nuk i kishte për të frikësuar familjen e tij. Në deklarim, Laçi thotë se fishekët i kishte groposur pasi i kishte në zotërim që prej vitit 1997 dhe kishte pasur frikë t’i dorëzonte në polici. Ndërsa thikat i përdor për të shartuar pemët.
Kjo ngjarje padyshim që është e rëndë, delikate dhe me mister, pasi jo vetëm që shkel të gjithë të drejtat e individit për të qenë i lirë, për të jetuar i paprivuar, por edhe sepse në mes është besimi fetar. Të tilla prirje të radikalizuara janë të dënuara nga komunitetet fetare. Prirjet ekstremiste kanë çuar në luftë mijëra njerëz, edhe nga Shqipëria, e që sot shumica janë të vdekur, e pakisa në kampet e ”ferrit” në Siri.
Besimi kur sëmuret duhet kuruar, si njeriu kur kalon një shqetësim, ndaj edhe ky rast i cili është me mister, shërben për të treguar se ende në botën moderne, disa ende janë të prapambetur dhe janë në dëm të individit, duhen kuruar, përpara se të jetë tepër vonë.