Radio Vatikani: Më 30 qershor kalendari kujton Martirët e parë të Romës
R.SH. – Vatikan
Më 30 qershor Kisha katolike romake kremton festën e martirëve të parë të Kishës romake, mbytur mizorisht mbi kodrën e Vatikanit, me urdhër të Neronit, pas zjarrit që shkrumboi Romën, në vitin 64. Martirët e parë të Kishës romake viktima të tërbimit të Neronit dhe të pushtetit si adhuron vetveten.
Gjurmët e martirëve të parë të Kishës romake të cilëve janë në 15 katakombet në qendër e në jug të Italisë. Në katakombe njihemi me dëshminë e besimtarëve të bashkësive të para të krishtera, martirëve të Kishës së parë, që na lanë si trashëgim gjakun e tyre të derdhur për Krishtin. Dhe e derdhën këtë gjak në rrethana rrënqethëse e tejet tragjike. Disa, të veshur me lëkura egërsirash, iu hodhën qenëve të uritur, të cilët i shqyen sakaq. Të tjerë u kryqëzuan, si Mësuesi Hyjnor, Jezu Krishti Shpëtimtar. Të tjerë, akoma, u ngulën në hunj e pasi i lyen me peshkve, u kthyen në pishtarë për të ndriçuar netët romake.
Rrëfimi makabër i Kornelio Tacitit, në librin XV të Analeve të tij, përmbledh gjithë këtë mizori, gjithë këto mundime që provuan të krishterët, duke nisur nga 19 korriku i vitit 64 mbas Krishtit, kur në Romë shpërtheu një zjarr i tmerrshëm, që shkrumboi një pjesë të mirë të kryeqytetit të perandorisë romake, asokohe nën sundimin e zjarrvënësit Neron.
Eshtrat e tyre u mbartën me nderim të thellë dhe u varrosen në 15 katakombe të krishtera që gjinden në Romë e në Lacio, në Toskanë, në Umbrie, në Kampanjë e në Sicili. Atje pushojnë në Tënzonë nën rrugët e banesat, që ngrihen mbi eshtrat e tyre, ku ecin, punojnë e jetojnë njerëzit e shekullit të globalizimit. Njerëz përmbi eshtra, të cilat nga nëndheu tregojnë histori sa të lemerishme, aq heroike e frymëzuese, të cilat vijojnë të përsëriten në anë të ndryshme të botës, sepse Neroni riduket herë në një skaj e herë në një skaj tjetër të Planetit. E bota shqiptare e kupton fare mirë ç’do të thotë të kryqëzohesh e të kthehesh në pishtar simbolik, për të ndriçuar në mes të errësirës së diktaturës, kur njerëzit rrezikohen të rrëzohen, sepse nuk shihet asnjë dritë.
Eshtrat e kampionëve romakë të fesë së krishterë pushojnë ndër sirtarët e hapura në muret e katakombeve, që simbolikisht quhen ‘bujtina’, ndërsa shpirtrat e tyre tashmë gëzojnë jetën e vërtetë të Amshimit Hyjnor, pasi e kaluan me sukses provën e madhe të dëshmisë, martirizimin për shkak të fesë së tyre në Krishtin Zot të Gjallë.
E si dëshmi e rikujtim i kësaj prove kaq të vështirë, në katakombet romake të Shën Kalistit, në Romë, para disa vitesh Komisioni Papnor i Arkeologjisë Kishtare ka organizuar leximin skenik të biografisë së disa martirëve të epokave e vendeve të ndryshme, duke nisur nga Shën Tarçizi, tek Shën Tomas Mori. Nismë me vlera, tepër aktuale, që na kujton martirët tanë, të cilët u torturuan mizorisht jo shumë kohë më parë, siç qenë torturuar martirët e lashtë, të cilët u dogjën me zjarr, u mbytën e u flakën në gropat e ujërave të zeza, u vranë pasi u kishin sharruar këmbë e duar, u lanë të pushkatuar, mbi grumbujt e plehut, që t’i shikonin të gjithë e të tmerroheshin nga pamja e tyre çnjerëzore, deri tek martirët e kohëve tona që u vranë me torturat më të përbindshme dhe u zhdukën pa gjurmë, ndoshta u hedhën në gropa të panjohura, në rrethinat e qyteteve të mëdha e të vogla apo në fusha e male në zona të thella.