Rai Uno, në Shkodër për ta parë me sytë e “Linea Verde” artin e madh, “The Albanian Key”
Rai Uno, në shtegtimin e tij mediatik në Shqipëri, pas promovimit të forcës së besimit që ngadhënjen mbi shpresëhumbjen dhe ikjen, për të shndërruar ëndrrat në ambicie të fuqishme sipërmarrjeje dhe promovimi të magjisë shqiptare, duke lënë pas Dukagjinin e mikpritjes dhe Lezhën e shpërblyer në mirësi dhe begatim, ka ndaluar në Shkodër. “Linea Verde” e ka bërë pjesë të këtij shtegtimi një ndalesë në hyrje të kryeqendrës së veriut, aty ku arti i madh lajmëron hapjen e portave drejt qytetit të madh, qytetit të shpresave dhe mundësive, aspiratave dhe besimit.
Rai Uno ka ndaluar në Shkodrën e kulturës dhe poetëve, në shpirtjen e piktorëve dhe muzikantëve, në djepin ku u përkundën mbretër dhe legjenda. Aty! Po, aty ku historia shkroi faqen e mahnitshme të qëndresës shkodranë kundër hordhisë osmane që synonte Evropën dhe katolicizmin. Aty ku tradita e artit dhe sportit, humorit dhe ahengut u gërshetuan me magjinë e bukurisë së natyrës, këtij bekimi hyjnor që mat pafundësinë e dehjes në det, për t’u magjepsur në vërshimin e lumenjve, magjepsur liqenin e blutë, për t’u shakadarë në fushat e bereqetshme dhe krenuar në kreshtat e maleve epike që prekin retë, për të kënduar me nimfat e kërcyer me shtojzovallet.
Emisioni “Linea Verde” i gjigandit italian RAI nuk ka mundur të largohet nga labeatët e hershmërisë dhe flijimit, nga mbretërimet e Gentit dhe Teutës, pa ndaluar te një ngjarje artistike, që ka futur Shkodrën në hartën botërore të artit të madh dhe të takojë atë, Alfred Mirashi – Milot, i cili duke sjellë “The Albanian Key”, ka arritur të dëshmojë fuqinë që sjell arti novator, arti i kurajës krijuese, ai art, i cili madhështon me prezencë dhe mahnit me mesazh.
Shqiptaro-italiani, Alfred Mirashi – Milot, ai që ka tronditur Italinë e kolosëve, me artin alegorik të çelësave, në pikturë dhe skulpturë, ndalon në Shkodrën e kulturës, për të treguar se sa ide, mendim dhe shpirt duhet për të blatuar në këtë altar.
“Linea Verde”, në Ditët e Kulturës Italiane ka dhuruar sy për të parë përmbushjen e ëndrrës shqiptare, për të parë artin e madh të nënshkruar me kryeveprën, “The Albanian Key”.