Zv/ministrja Rakacolli: Brenda tre muajve të parë do të vaksinohet 20% e popullsisë

Zv/ ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka treguar mënyrën dhe kohën kur parashikohet të vaksinohet popullsia në vendin tonë.

Rakacolli është shprehur se 20% e shqiptarëve do të vaksinohen në tre muajt e parë të vitit 2021.

“Do të sigurojmë menjëherë rreth 20 përqind të nevojës që ka popullsia shqiptare për vaksinim prandaj kemi bërë pagesën për mbi 1 milion e 140 mijë doza. Nuk jemi ndalur vetëm te COVAX , por kemi bërë tratativa edhe me vende të BE, jo vetëm përmes mekanizmit të BE drejtpërdrejt, por edhe me vende të veçanta të BE, për të përfituar nga dozat që do të marrin ata nga BE. Pasi këto vende që janë sot anëtarë të BE e marrin të gjithë në të njëjtën kohë, në bazë të marrëveshjeve që kanë. Njëkohësisht kemi bërë tratativa për të marrë vaksina edhe drejtpërdrejt nga kompanitë farmaceutike, si: Pfizer apo Moderna”, tha Rakacolli, në një intervistë për Gazetën SI.

Sa i përket pasaportës së Covid, ku do shënohet se e ke marrë vaksinën, Rakacolli pranoi se për momentin në vendin tonë nuk po diskutohet për një dokument të tillë.

“Nuk e kemi diskutuar ende. Kjo varet nga politikat që do të vendosin shtetet. Deri tani nuk ka një qasje të përbashkët të shteteve. Vende të ndryshme do të ndjekin politika të ndryshme. Por ajo çfarë mund të themi është se vaksinimi nuk është i detyruar dhe do të jetë falas.”-përfundoi Rakacolli.

SHKARKO APP