Rakacolli: Egërsia e simptomave te të rinjtë, shenja që mutacionet janë të pranishme në Shqipëri
Në lidhje të drejtërdrejtë me A-Shoë, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli është ndaluar fillimisht te numri i shtuar i personave të prekur sidomos gjatë muajit shkurt.
‘Pandemia fatkeqësisht vazhdon akoma. Numrat në Shqipëri ashtu sikur edhe në një pjesë të mirë të vendeve të tjera kanë ndjekur atë trendin herë rritës, herë ulës. Gjate muajit shkurt kemi pasur trend rritës, ndërkohë që gjatë marsit ka filluar të rezultojë ulës. Pra është e vërtetë që kemi pasur më shumë raste të personave të infektuar gjë që ka rezultuar në muajin shkurt edhe në shtimin e rasteve që kanë pasur nevojë për trajtimin spitalor dhe që fatkeqësisht edhe një numër të shtuar të vdekjeve. Por situata në javën e fundit të shkurtit dhe në javën e parë të marsit ka një farë përmirësimi gjë që reflektohet jo vetëm në numrin më të ulët të infektimeve ditore por edhe për shkak të numër të qëndrueshëm të shtrimeve në spital.’
Rakacolli u ndal edhe te prania e mutacioneve në Shqipëri, ku tha se egërsia e simptomave te të rinjtë të lë të kuptosh për praninë e varianteve të reja.
‘Që të vërtetohet mutacioni në ndryshimin në strukturën e gjenit, deri më sot në Shqipëri nuk kemi mundësi që ta bëjmë atë që quhet në gjuhën e biologjisë molekulare, sekuencimin e genit. Dhe këto mostra që dyshohet se janë të prekura nga këto variante të reja të virusit janë tashmë të depozituara në një laborator në Londër dhe na është thënë që procesi zgjat. Masat mbrojtëse do të jenë njësoj si për virusin bazë dhe fatmirësisht po flitet që edhe vaksina bën efekt edhe karshi kontaktit më këto viruse të reja. Dyshimi për praninë e tyrë është shumë i madh dhe kjo bazohet nga prekja e moshave të reja dhe nga egërsia e simptomave që nuk janë parë më parë.’
Rakacolli u ndal gjatë bisedës edhe te largimi i doktor Tritan Kalos nga Komiteti i Ekspertëve.
‘Doktor Kalo e ka bërë publike në facebookun e tij dorëheqjen. Bashkëpunimi me të ka qenë shumë i rëndësishëm. Ai është një burrë i mençur dhe gjatë këtij viti ka dhënë mendime shumë objektive.’