Rakacolli: Vaksina është e Pfizer, situata e covidit në vend është e qëndrueshme
Në një intervistë për RTV Ora, kreu i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli u shpreh se vaksina e përdorur ditën e sotme është ajo e Pfizer, ajo që përdoret në çdo vend të botës.
Rakacolli tha se janë siguruar edhe 500 mijë doza direkt nga Pfizer dhe procesi do të vazhdojë, por nuk dha një afat për këtë.
Rakacolli: Vaksina është e Pfizer, ajo që përdoret në çdo vend të botës. Sot kemi filluar vaksinim me ata që janë në vijë të parë, me personelin shëndetësor në spitalet Covid 1 dhe 2. Më pas do të vaksinohet i gjithë personeli mjekësor në vend. Furnizimi do të vazhdojë me vaksina dhe do të vazhdojë plani sikurse e kemi thënë. Ne kemi siguruar edhe 500 mijë doza direkt nga Pfizer dhe procesi do të vazhdojë.
Besueshmëria ndaj vaksinës është diçka private, ne kemi besueshmëri maksimale. Unë besoj fort se ne kemi arritur ta transmetojmë këtë siguri dhe besueshmëri te qytetarët. Vaksina ndërpret transmetimin e virusit te qytetarët e tjerë. E gjithë bota nuk ka një afat se kur do të mbarojë një kategori dhe do të fillojë një tjetër.
Rakacolli shtoi se situata e covidit në vendin tonë është e qëndrueshme, me një tendencë të lehtë uljeje dhe theksoi se kapacitetet spitalore janë të mjaftueshme.
Rakacolli: Në vlerësimin e fundit që kemi bërë kemi thënë se situata është e qëndrueshme, me një tendencë të lehtë uljeje, por që duhet parë në ditët në vazhdim. Nuk duhet të nisemi me rezultate të një ditë, as për rezultate të ulta apo të larta. Me parashikimet që kemi bërë qysh në fund të gushtit, kur prisnim një shtim të rasteve, ne mendojmë se i kemi kapacitetet. Në funksion të sëmurëve me Covid në të gjithë vendin do të jetë 1600 shtretër. Për momentin nuk duhet të shqetësohemi për kapacitetet spitalore, por nëse do të jetë nevoja do t’i shtojmë ato.