Rama: Aksioni anti-informalitet vijon deri në 2021
Në të gjithë vendin po vijon zbatimi i Planit Operacional kundër informalitetit. Kryeministri Edi Rama deklaron se kjo luftë frontale do të vazhdojë deri në qershor të 2021.
Teksa i referohet aksionit të sotëm të strukturave tatimore në Sarandë, të përqendruar në njësitë akomoduese të publikuara në booking, Rama thekson se: ”Shumëkush thotë Informaliteti nuk luftohet me fushata, të gjithëve u them kjo luftë frontale që ka nisur, nuk është fushatë po një fazë e re e shtetbërjes, e cila do të vazhdojë deri në qershor 2021”.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj deklaroi nga Saranda se janë 413 njësi në booking, të cilat po verifikohen nga 9 grupe të monitorimit në terren. Ajo tha se gjatë gjithë periudhës nga data 4 korrik deri dje janë kryer në total 420 kontrolle dhe janë konstatuar 191 shkelje të legjislacionit tatimor.
”Në 30 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe organeve tatimore”.