Rama as dy minuta në mbledhjen me doganierët: Mos u ulni, jeni të shkarkuar!

 

Doganat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 150 milionë euro, zemërim të cilin kryeministri Edi Rama duket se e ka zbrazur sot tek drejtorët e Departamenteve dhe të Drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Mëngjesin e sotëm, në një mbledhje që nuk ka zgjatur më shumë se 2 minuta ai i shkarkoi personalisht nga detyra të gjithë drejtuesit.

Makina e tij hyri në orën 7.55 në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Rama ka qëndruar pa lëvizur brenda saj plot 10 minuta.

Në orën 8:05 ai ka dalë prej saj dhe ka hyrë në sallën e mbledhjeve, prej të cilës ka dalë në orën 8:07. Rama nuk ka pranuar as të ulet dhe nuk ka lejuar të ulen as të pranishmit në mbledhje, përfshirë Ministrin e Financave Shkëlqim Cani dhe drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, Pranvera Fagu.

Sipas “lapsi.al”, Rama sapo hyri, pa e fshehur zemërimin, u është drejtuar drejtorëve të departamenteve duke u thënë: “Mos u ulni. Jeni një turp. Jeni të gjithë të shkarkuar. Çdo muaj, tre kryetarët e doganave me performancën më të ulët do të ikin. Zoti Ministër, zonja Drejtoreshë, merrni masat. Mirupafshim”.

Kjo sjellje e pazakontë e kryeministrit i ka befasuar të gjithë të pranishmit në mbledhje.

Asnjëri prej tyre nuk ka patur kohë as t’i përgjigjet, pasi, menjëherë pas kërcënimit të hapur ndaj drejtuesve të doganave, Rama është drejtuar për në Novoselë, për të prezantuar projektin e qeverisë në bashkëpunim me BE –në për rimëkëmjen nga përmbytjet.

SHKARKO APP