Rama: Berisha flet për ambasadoren dhe zyrtarët e lartë amerikanë, sikur po flet me karagjozët e oborrit të tij
Gjatë takimit me banorët në Kukës, kryeministri Edi Rama u kujtoi sot demokratëve se ata asnjëherë më parë nuk e kanë negociuar simpatinë për Amerikën. Në një takim elektoral nga Kukësi, Rama tha se nuk mund të kuptohet sesi demokratët mund të votojnë një njeri që SHBA e ka shpallur ”non-grata”.
“Është bërë komplet karagjoz rrugësh që bredh nëpër Shqipëri dhe flet për ambasadoren amerikane si llaxoret e rrugëve që flasin për komshien. Flet për zyrtarët e lartë amerikanë sikur po flet me karagjozët e tij te oborri i partisë. Si mund të pranohet ky lloj karagjozllëku. Kjo quhet shkarje ledhi, rrëshqitje e fortë. Të shkosh pas një individi të tillë do të thotë të rrëshqasësh bashkë me të”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi edhe se sot Shqipëria respektohet në arenën ndërkombëtare si asnjëherë më parë. “Jemi në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kemi zërin dhe flamurin tonë dhe pozicionin tonë të barabartë mes të barabartësh. Jemi vendi që pritëm BE-në që doli për herë të parë në histori jashtë kufijve të vetë. Sapo kemi lënë presidencën e OSBE-së dhe presim në tetor Samitin e Berlinit. Kjo sepse kemi fituar respekt dhe aleatët e miqtë tanë na mbështesin”, tha Rama.