Rama dhe Berisha rivalë edhe me “podcast”, ekspertët: Personalizim i fushatës lokale

Në prag të nisjes së fushatës zgjedhore të 14 Majit, Edi Rama dhe Sali Berisha kanë zbuluar “podcast”-in, një format të ri komunikimi për të shkuar te elektorati i tyre gjatë fushatës, duke shmangur filtrin ndërmjetës të medias tradicionale. Ish-kryeministri, me narrativë do të tregojë historinë dhe përjetimet personale. Kreu i qeverisë së majtë, përveçse do të flasë në vetë të parë, do të marrë edhe rolin e të intervistuarit.

Kjo platformë është parë me skepticizëm nga deputeti socialist Pandeli Majko në Komisionin e Ligjeve, i cili ngriti shqetësimin nëse përmbajtja e “podcast”-eve kontrollohet nga AMA.

Ekspertët e komunikimit Aleksandër Çipa dhe Erlis Çela kanë këndvështrime të ndryshme për strategjinë e re të komunikimit të zgjedhur nga dy aktorët kryesorë të politikës në vend. “Është një mjet pa kosto të mëdha për të zhvilluar betejën elektorale. Është një lëvizje që nuk i shërben transparencës dhe informimit të publikut. Kryeministri i një vendi nuk mund të bëhet kurrsesi gazetar”, thekson Çela.

Çipa dhe Çela bien dakord që Rama është më i avantazhuar nga “podcast”-i, por ata listojnë arsyet se pse kryeministri ka zgjedhur këtë format duke shmangur mediat tradicionale.

Qasjen e ish-kryeministrit Berisha ndaj komunikimit narrativ, dy ekspertët e komunikimit e shohin me rezultate të ndryshme finale. “Unë nuk e di se pse zoti Berisha është bërë pjesë e kësaj loje që në një farë mënyre po përpiqet të futet në garë me kundërshtarin me mjetet e kundërshtarit”, thotë Çela.

Më 14 maj, përveçse rezultatit të zgjedhjeve lokale, do të bëhet edhe bilanci i dy “podcast”-eve. Çipa bën parashikimin e tij: “Berisha do të fitojë më shumë fansa, ndërsa Rama do të ketë përmbajtje”. /A2cnn/

SHKARKO APP